• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gashi: Kurti gjithmonë prodhon tensione të larta para se të bëjë lëshime ndaj Serbisë

Gashi: Kurti gjithmonë prodhon tensione të larta para se të bëjë lëshime ndaj Serbisë

Prishtinë, 5 prill 2024 (MIA) - Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi thotë se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, kur është në pyetje veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, "gjithmonë ka pasur tensione para se të bëhen lëshime" ndaj Beogradit, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistën e djeshme për televizionin T7, Gashi numëroi disa nga, sipas tij, lëshimeve të cilat i bëri Kurti gjatë qeverisjes, në mesin e të cilave targat, dokumentet personale të serbëve të Kosovës, ndarja e tokës për Manastirin e Deçanit dhe të tjera. 

"Ajo që është vërejt në këto tri vitet e qeverisjes së zotëri Kurtit në raport me situatën në veri ka qenë gjithmonë një tensionim para një lëshimi. Pra, gjithmonë është krijuar një situatë e tensionuar pastaj është bërë një lëshim duke filluar me targat, dokumentet, krizën me energjinë, marrëveshjen e Brukselit pastaj marrëveshja e Ohrit, regjistrimi i pronës së kishës ortodokse... Tashmë kemi edhe marrëveshjen për çështjen e përdorimit të valutës serbe dhe po ashtu marrëveshja për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri", tha Gashi.

Sipas tij, bëhet fjalë për veprime momentale populiste të qeverisë së Kurtit, me të cilat do të arsyetohen lëshimet ndaj Beogradit. 

"Pra bëhet fjalë për veprime për krijimin e tensioneve, që pastaj të bëhet kinse qetësim i situatës, si dhe për veprime të cilat kanë për qëllim që të krijohet simpati momentale popullore që të bëhen lëshime", tha Gashi.

Shefi i deputetëve të LDK-së opozitare thotë se në historinë politike të Kosovës nuk ka njeri i cili ka gënjyer më shumë se kryeministri aktual kosovar.

"Njeriu i cili më së shumti ka gënjyer në historinë politike të Kosovës është Albin Kurti. Në të gjitha kauzat e tij", tha Gashi në intervistën për T7. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR