• e diel, 22 dhjetor 2024

Gashi: Kam informacione se është duke u përgatitur ligj për përfaqësim të drejtë

Gashi: Kam informacione se është duke u përgatitur ligj për përfaqësim të drejtë

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi pas konferencës së sotme për media ka bërë të ditur se është duke u përgatitur ligj për përfaqësim të drejtë, i cili duhet të zëvendësojë "balancuesin".

"Kjo çështje është në domenin e partive politike dhe politikës. Unë nga funksioni kryetar i Kuvendit nuk mund të komentoj për këtë çështje, por pasi jam në Kuvend dhe jam në kontakt me deputetët e të gjitha partive politike, kam informacione se një ligj i tillë është duke u përgatitur", tha Gashi.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti javën e kaluar ka theksuar se ka marrëveshje në koalicionin qeveritar për një ligj për përfaqësim të drejtë.

"Kemi marrëveshje politike për t'u rregulluar me Ligj përfaqësimi i drejtë. Vetëm duhet të gjejmë mënyrë që eventualisht të kemi evidencë të përkatësisë etnike në administratë, pa u gërshtetuar me privatësinë e informatave", tha Mexhiti.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev së fundi ka theksuar se kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

"Në këtë moment nuk mund të them nëse do të ketë një të re, apo cila do të jetë përmbajtja e asaj zgjidhje ligjore. Sigurisht, që do të prisja, e sigurisht edhe Ministria e Admrinistratës Publike, vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Varësisht nga ajo se çfarë do të jetë, ne do t'i qasemi një zgjidhjeje të re të mundshme ligjore", tha Minçev.

Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht shfrytëzimin e balancuesit deri në vendimin përfundimtar për kushtetutshmërinë e dispozitave ligjore që mundësojnë përkatësia etnike të jetë kusht për punësim. Nga Ministria për Administratë Publike informuan se së shpejti të gjitha institucionet do të marrin udhëzime se si të veprojnë deri në vendimin përfundimtar. Prej aty nuk dhanë më shumë hollësira. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR