• e hënë, 23 dhjetor 2024

"Gardian": Ish shefi i Mosadit ka kërcënuar kryeprokuroren e GJNP-së

Londër, 28 maj 2024 (MIA) – Ish shefi i agjencisë së inteligjencës izraelite Mosad, Josi Koen, kërcënoi dhe frikësoi kryeprokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Fatou Bensuda, për të parandaluar hetimet për krimet e luftës së Izraelit, ka raportuar sot gazeta britanike "Gardian".

Gazeta duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të GJNP-së dhe Izraelin, citon se Koen, i cili drejtoi Mosad-in nga viti 2016 deri në 2021, shpesh kishte biseda "kërcënuese" me Bensudan, duke u përpjekur ta bindte atë të mos hetonte Izraelin.

Tre burime izraelite të paidentifikuara pohojnë se Koen mori miratimin e "nivelit të lartë" për të vepruar si "lajmëtari jozyrtar" i kryeministrit Benjamin Netanjahu dhe se qëllimi ishte të komprometonte Bensudan ose ta detyronte atë të përmbushte kërkesat e Izraelit.

"Gardian" raporton se akuzat janë pjesë e një hetimi që gazeta do të botojë së bashku me revistën izraelito-palestineze "+972 Magazin" dhe mediumin në gjuhën hebraike "Lokal Koll", e cila do të zbulojë se sa agjenci izraelite të inteligjencës kanë udhëhequr një luftë të fshehur kundër GJNP-së për gati dhjetë vjet".

Sipas raportit, Koen dhe Bensuda u takuan për herë të parë në vitin 2017 në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Takimi i radhës ishte në vitin 2018 në Nju- Jork. Bensuda duhej të takohej me ish presidentin e Republikës Demokratike të Kongos, Xhozef Kabila, por në takim ishte edhe Koen, i cili më pas thirri në telefon disa herë kryeprokuroren e GJNP-së.

Bensuda në vitin 2019, ishte gati të niste një hetim kundër Izraelit dhe deri në vitin 2021 ajo pati tre takime me Koen. Në dy nga takimet, Koen kërcënoi Bensudan dhe i tregoi një fotografi të bashkëshortit të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Izraeli filloi një fushatë kundër Bensudas, e cila dyshohet se ishte e koordinuar me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Tramp, i cili vendosi ndalesë të vizës dhe sanksione ndaj saj. Presidenti aktual i SHBA-së Xho Bajden, kur erdhi në pushtet në janar të vitit 2021, hoqi sanksionet kundër Bensudas.

"Gardian" kërkoi një koment nga zyra e kryeministrit izraelit, nga ku u vlerësua se pyetjet e dërguara ishin "të mbushura me pretendime të rreme dhe të pabaza që synonin dëmtimin e shtetit të Izraelit". Si Koen ashtu edhe Bensuda nuk kanë komentuar mbi akuzat e gazetës londineze. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR