• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gabriel Eskobar në Shkup në takime me kreun shtetëror dhe liderin e opozitës, Mickoski

Gabriel Eskobar në Shkup në takime me kreun shtetëror dhe liderin e opozitës, Mickoski

Shkup, 24 gusht 2023 (MIA) - Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Eskobar sot vjen për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Eskobari do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, konfirmuan për MIA-n nga zyra e shefit të shtetit. Është paraparë që ai të ketë takim edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ardhja e Eskobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.

Diplomati i lartë amerikan në debatin për Ballkanin Perëndimornë Kongresin e SHBA-së, të mbajtur gjatë korrikut të këtij viti, deklaroi se SHBA-ja fuqimisht e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit.  

Eskobar vlerëson se me integrimin evropian të vendit, do të ulet ndikimi i aktorëve të dëmshëm në rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve të korruptuar lokalë.

Seanca plenare për Propozimin për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës ka filluar më 18 gusht. Rendi i ditës u miratua me 70 vota “për”, ndërsa pas shterjes së debatit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e shtyu votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretash.

Për miratimin e Propozimit për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, që është pika e vetme e mbledhjes së 123-të, duhet të votojnë minimum 80 deputetë. Kjo është e para nga gjithsej tre fazat për ndryshimin e Kushtetutës. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR