• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Gërkovska: Me transformimin digjital të shoqërisë, ne rrisim efikasitetin

Gërkovska: Me transformimin digjital të shoqërisë, ne rrisim efikasitetin
Shkup,  6 prill 2022 (MIA) - Përgatitja e një plani konkret që do të optimizojë procesin e transformimit digjital të shoqërisë, standardizimi i nevojave teknike për këtë qëllim, por edhe aktiviteti plotësisht i koordinuar i të gjitha institucioneve të përfshira janë hapat e radhës në procesin e digjitalizimit, deklaroi zëvendëskryeministrja e  obliguar për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, në takimin e sotëm me dy grupet punuese përgjegjëse për fushën e teknologjive informative dhe komunikuese dhe për përgatitjen e zgjidhjeve të nevojshme ligjore. Sipas Shërbimit për shtyp të Qeverisë, ajo informoi se procesi i transformimit digjital të shoqërisë po zhvillohet së bashku me ekspertë nga Estonia dhe mbështetje nga Ambasada e SHBA-së. "Nëpërmjet digjitalizimit të proceseve, qytetarëve u ofrohen shërbime në kohë dhe efikase me rrezik të minimizuar të veprimeve subjektive dhe diskrecionale. Ky transformim digjital përmirëson efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve, me çka do të rritet dhe forcohet besimi i qytetarëve dhe sektorit të biznesit në institucionet", theksoi zëvendëskryeministrja Gërkovska. Ajo shtoi se duhet të përcaktohet se çfarë kapacitetesh kanë departamentet e planifikimit strategjik në kuadër të administratës shtetërore, por edhe për standardizimin e nevojave teknike, ndër të tjera në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike. Gjithashtu, shtoi Gërkovska, me ndihmën e grupeve punuese do të bëhet evidencë për zgjidhjet softuerike dhe aplikacionet në dispozicion të vetë institucioneve, me qëllim që të ketë një pasqyrë në dispozicion të institucioneve për të shmangur përgatitjen e panevojshme të zgjidhjeve softuerike ekzistuese dhe  shfrytëzimin e tyre ndërinstitucional atje ku është e mundur. Zëvendëskryeministrja Gërkovska vlerësoi se është e nevojshme të ketë një qasje të koordinuar dhe efikase, në mënyrë që të sigurohet zbatim më efikas i proceseve të digjitalizimit nga ana e Qeverisë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR