• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gërkovska - Joveski: Fuqizim kadrovik dhe teknik i sistemit prokurorial, kryerje e profesionit me përgjegjësi dhe integritet

Gërkovska - Joveski: Fuqizim kadrovik dhe teknik i sistemit prokurorial, kryerje e profesionit me përgjegjësi dhe integritet

Shkup, 6 nëntor 2023 (MIA) - Është i nevojshëm fuqizimi kadrovik dhe teknik i sistemit prokurorial dhe kryerja e profesionit me përgjegjësi dhe integritet, kanë vlerësuar sot zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska dhe prokurori shtetëror publik, Lubomir Joveski. 

Në takim, në kuadër të takimeve koordinuese të zëvendëskryeministres me përfaqësues të institucioneve kompetente për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska, prokurori themelor publik në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Gavrill Bubevski dhe Natasha Goxhoska, prokurore publike nga Prokuroria e Lartë Publike në Shkup. 

"Në takim u bisedua për çështjet që kanë të bëjnë me digjitalizimin e proceseve në prokurori, ndërsa zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se miratimi i ligjit të ri për punë arkivore do ta lehtësojë shumë funksionimin e përditshëm, por edhe se duhet të përdoret në mënyrë adekuate mbështetja e donatorëve në këtë segment. Lidhur me zhvillimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve, të pranishmit theksuan se ky sistem duhet të përshtatet me specifikat e punës së prokurorit, por në të njëjtën kohë të synojë uljen e rolit të faktorit subjektiv në shpërndarje", njoftoi Kabineti i zëvendëskryeministres Gërkovska.

Një nga temat e hapura në këtë takim, siç bëjnë të ditur, ishte edhe problemi me kapacitetet e pamjaftueshme kadrovike në këto institucione, dhe nga aspekti i mungesës së prokurorëve, por edhe kuadrit informatik dhe profesional, që e vështirëson punën dhe performancat e prokurorive publike. 

"Zëvendëskryeministrja Gërkovska u bëri thirrje të pranishmëve që të japin kontributin e tyre në fazën e evaluimit të strategjisë aktuale dhe krijimin e strategjisë së re për fuqizim të kapaciteteve për udhëheqje të hetimit financiar dhe konfiskimit të pasurisë. Fuqizimi i Prokurorisë Publike dhe zbatimi i rritur i të gjitha llojeve të konfiskimit si instrument në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë një nga prioritetet", qëndron në kumtesë. 

Në takim u hap edhe çështja e përgjegjësisë për kryerjen joprofesionale dhe të pakujdesshme të profesionit të prokurorit. Prokurori publik Lubomir Joveski, thuhet në kumtesë, ka theksuar se detyrë themelore e prokurorëve publikë është gjithmonë, pavarësisht rrethanave, të ndërmarrin veprime zyrtare në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ta kryejnë detyrën në mënyrë të ligjshme, të paanshme, të drejtë, me përkushtim dhe në një periudhë sa më të shkurtër. Në këtë drejtim, ai informoi se që nga fillimi i aplikimit të Rregullores së re për mënyrën e zbatimit të procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së prokurorit publik për shkelje disiplinore të kryer, të miratuar në vitin 2021, janë iniciuar procedura disiplinore ndaj 12 prokurorëve publikë,  pesë prej të cilëve pesë përfunduan me shqiptimin e masës më të rëndë disiplinore – propozim për shkarkim nga detyra. fc/

Fotografia: Kabineti i zëvendëskryeministres për Politika të Qeverisjes së Mirë

QËNDRONI TË LIDHUR