• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Futbollistët e Maqedonisë së Veriut siguruan finale në balotazhin e Kampionatit botëror

Futbollistët e Maqedonisë së Veriut siguruan finale në balotazhin e Kampionatit botëror
Palermo, 24 mars 2022 (MIA)- Futbollistët e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut sonte në Palermo dhuruan sensacion duke mposhtur Italinë me rezultat 1-0 (0-0) me çka siguruan kualifikim në finalen e balotazhit të Kampionatit botëror 2022 kundër Portugalisë më 29 mars. Fitoren më të madhe në historinë e futbollit vendas në stadiumin “Renxho Barbera” e solli ish lojtari i Palermos, Aleksandar Trajkovski në minutën e 92-të. Ka qenë e pritshme që italianët të fillojnë një lojë ofensive, ku shansi më i madh i tyre pasoi gjysmë ore pas gabimit të Dimitrievskit i cili ia dhuroi topin Berardit disa metra pranë portës, por me një intervenim në kohë mbrojti goditjen e tij drejt rrjetit të zbrazët. Nga ai momenti Italia fuqishëm ka atakuar, por skuadra nga Maqedonia e Veriut me sukses i ka rezistuar dhe në minutat e fundit të gjysmës së parë ka pasur mundësinë më serioze për epërsi kur goditja e Trajkovskit pas plasimit të Bardhit është ndalur nga Donaruma. Pjesa e dytë ka filluar me tre tentime të Berardit në 12 minutat e para, ku gjuajtja e parë është mbrojtur nga Dimitrievski, ndërsa dy tjerat kanë përfunduar jashtë portës. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut pastaj është rikthyer përmes Trajkovskit pas një ore lojë, por goditja e tij nga ana e majtë ka qenë joprecize. Kur ndeshja veçmë pritej se do të shkojë në vazhdime, Trajkovski me një goditje precize nga distanca e mposhti Donarumën duke sjellë gëzim të madh për rreth 1.500 tifozë të Maqedonisë në Palermo. Kësisoj, Maqedonia është një hap drejt kualifikimi historik në Kampionatin botëror, por për këtë i nevojitet edhe një fitore si mysafir më 29 mars në Porto kundër Portugalisë e cila sonte në gjysmëfinalen e dytë të grupit mundi Turqinë me rezultat 3:1.    

QËNDRONI TË LIDHUR