• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fronti Evropian kërkon dorëheqjen e Taravarit

Fronti Evropian kërkon dorëheqjen e Taravarit

Shkup, 7 tetor 2024 (MIA) - Grupi parlamentar i Frontit Evropian sot nga foltorja e Kuvendit kërkoi dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari pasi pardje ndërroi jetë një foshnje 14 muajshe, për të cilën prindërit e tij kishin kërkuar më parë që të hospitalizohet, por nuk është pranuar në Klinikën e fëmijëve në Shkup.

Deputetja e Frontit Evropian, Diana Toska kërkoi përgjegjësi morale nga autoritetet dhe hetim të plotë dhe transparent.

"As ministri Taravari i cili është krejtësisht i hutuar duke shëtitur nëpër lagje dhe qytete në përpjekje për t'i vjedhur vulat e partisë ASH të ish kryetarit të tij Ziadin Sela, nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale dhe motiv moral për të vepruar si njeri në një situatë të tillë. Përkundrazi, ai tenton ta relativizojë gjithë këtë situatë që në një shtet normal do të rezultonte jo vetëm me dorëheqjen e tij por edhe dorëheqjen e drejtorit të paaftë Memedi. Apelojmë deri tek ju Arben që të ikni", tha Toska.

Nga Fronti Evropian kanë vlerësuar se drejtori i Klinikës për fëmijë, Rexhep Memedi nuk ka vesh për skandalet në institucionin që drejton dhe merret me punësimin e anëtarëve të familjes së vet.

"Foshnja 14 muajshe vdiq sepse nuk mori trajtimin e duhur nga institucioni kompetent, respektivisht në Klinikën e fëmijëve në Shkup, drejtor i së cilës është Rexhep Memedi i cili ka akomoduar edhe kushëririn e vet Alajdin Memedi bashkë me të cilin akuzohen për korrupsion. Sigurisht është i zënë duke punuar maksimalisht për t'i punësuar familjarët e tij, kushëririn e tij dhe njëherësh edhe për t'ia mbuluar skandalet për abuzim financiar po në këtë klinikë të njëjtit", theksoi Toska. rq/

Foto: BDI

 

QËNDRONI TË LIDHUR