• e shtunë, 23 nëntor 2024

Fronti Europian: Koalicioni “VLEN” po kërkon bekimin e Mickoskit për të qenë pjesë e Qeverisë

Fronti Europian: Koalicioni “VLEN” po kërkon bekimin e Mickoskit për të qenë pjesë e Qeverisë

Shkup, 1 maj 2024

Çdo parti apo koalicion ka për qëllim të merr bekimin e votuesit të vet dhe pastaj të flet në emër të atyre votave. Por, çfarë po shohim? Koalicioni “VLEN” po kërkon bekimin e Mickoskit për të qenë pjesë e Qeverisë. Kanë harruar nga kush i kanë marrë votat më 24 prill dhe nga kush presin t’i marrin më 8 maj! Siç duket kjo nuk është aspak e rëndësishme, ata garën e kanë se cili prej liderëve të atij koalicioni është më i pëlqyer i Mickoskit. E ky i fundit nuk ka tubim e paraqitje publike që nuk ju thurr vargje lavdie liderëve të “VLEN”-it. Nga buron gjithë kjo dashuri, pse i pëlqen aq shumë, çfarë premtimi i kanë dhënë?

Ku ka situatë më të tmerrshme që një lider maqedonas të caktojë se kush i përfaqëson shqiptarët? A po kthehemi në kohërat e errëta kur shqiptarët kanë qenë të përjashtuar nga sistemi, dhe gjithçka për ta është vendosur në komitetin e partisë në Beograd dhe në qendrat tjera që për qëllim kanë pasur nënshtrimin dhe përbuzjen e shqiptarëve.

Kur e përmendim Beogradin, na kujtohet që Mickoski është ndër liderët e vetëm në rajon që feston fitoren e Vuçiqit në selinë e tij në Beograd. Gjithashtu, është ndër liderët e vetëm që ka ngrit dolli dhe ka festuar fitoren e Orbanit në Hungari, kur e gjithë Europa e ka anashkaluar atë lider shkaku i lidhjeve të tij me Rusinë.

Sikur të mos mjaftonin këto arsye, edhe brenda vendit tashmë pas marrjes së dy ministrive në Qeverinë teknike, VMRO-ja ka filluar me avazin e vjetër të frikësimit, rrahjes dhe konstruimit të rasteve të ndryshme. E kishim rastin me gazetarin Furkan Saliu kur policia ushtroni dhunë dhe pa asnjë arsye konkrete e arrestoi duke bërë spektakël të panevojshëm.

Hiç më larg se para dy ditëve, dy të rinj shqiptarë nga Hasanbegu janë rrahur dhe malltretuar nga tifo-grupi “Komitët” që gjenezën e tyre e kanë në VMRO-DPMNE. Ende i kemi të freskëta kujtimet se çfarë kanë përjetuar shqiptarët nga këto praktika të dhunës që sistematikisht janë përdorur nga këto grupe.

Dje, nga një tubim partiak në Kumanovë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për Presidente të vendit, Gordana Siljanovska tha që nëse fiton zgjedhjet, do të angazhohet për krijimin e një Tribunali Special për luftën e vitit 2001, që targeton të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së dhe shqiptarët në përgjithësi.

Edhe pas gjithë këtyre çështjeve të lartpërmendura, liderët e “VLEN”-it me vasalitetin më të madh po i nënshtrohen VMRO-së, madje duke e përmendur në çdo aktivitet të tyre se do t’i merr Mickoski në Qeveri. Të gjitha këto i thonë me krenarinë më të madhe.

Populli i dënoi më 24 prill, ndërsa më 8 maj do ta pësojnë goditjen më të madhe elektorale që as në skenarin më të keq nuk e kanë paramenduar.

“Fronti Europian” do të vazhdojë të qëndrojë në ballë të interesave shqiptare dhe të gjitha komuniteteve në vend, që të gjithë të ndihen të barabartë në shtetin e përbashkët.

Nuk do të lejojmë asnjëherë që shqiptarët të ndihen të diskriminuar, të frikësuar dhe të papërfaqësuar.

Në si “Front për Europë” kërkojmë mbështetjen masovike të qytetarëve që të vazhdojmë rrugën e integrimeve, të përfaqësojmë interesat e shqiptarëve dhe komunitete të tjera dhe me këtë t’u japim goditjen më të fortë VMRO-së dhe vasalëve të tyre në taborin shqiptar.

Rina Ajdari, "Fronti Europian"

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR