• e premte, 22 nëntor 2024

"Front Europian: Sot kemi vendosur që të solidarizohemi me gjithë punëtorët të cilëve ju shkelen të drejtat themelore

Shkup, 1 maj 2024 

Sot, më 1 maj, kur të gjithë dalin në piknik, ne si “Front Europian” kemi vendosur që të solidarizohemi me gjithë punëtorët të cilëve ju shkelen të drejtat themelore, e në veçanti me punëtorët e NPK - Tetova, Tetovë.

Lëvizja Besa erdhi në pushtet para gati tre viteve duke premtuar përmirësim të kushteve për punëtorët e NPK-së, por doli që e gjitha ishte një mashtrim i madh elektoral. Sot, punëtorët e NPK-së nuk kanë rroga, nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kanë jetë të dinjtetshme, madje shpesh herë edhe kërcënohen dhe sulmohen nga menaxhmenti i komunës.

Çështja e menaxhimit të mbeturinave është trumpetuar gjatë gjithë kampanjës zgjedhore të këtij menaxhmenti të komunës, por njëjtë si për çdo punë, edhe kjo dështim. Mbeturinat dhe deponitë janë të pranishme në të gjithë qytetin e Tetovës. Nuk ka lagje që nuk e vuan këtë problem, ndërsa autoriteteve komunale nuk ju bëhet vonë.

Me këtë menaxhment të paaftë, problemet në qytetin tonë nuk kanë fund. Qent endacakë janë rreziku kryesor që ju kanoset fëmijëve dhe të gjithë banorëve. Nuk janë të pakta rastet ku janë kafshuar njerëzit dhe të njëjtit as që janë dëmshpërblyer nga komuna.

Zyrtarët komunal, duke filluar nga kryetari Kasami dhe vartësit e tij siç duket duan të merren me çështje më madhore dhe e kanë harruar totalisht Tetovën. Mirpo edhe këtë punë nuk dinë ta bëjnë siç duhet. Sa dolën jashtë Tetovës, përfunduan në prehrin e VMRO-së e cila pamëshirshëm po i udhëzon për të ecur agjendën e saj. Si rezultat i këtij vasaliteti, sot e kemi kryqin në Kodër të Diellit, i cili edhe pse është vendosur pa procedurat e nevojshme, autoritetet komunale nuk kanë guximin që ta rënojnë sepse mund të ketë hatërmbetje nga patroni i tyre në Shkup.

Tetovarët nuk e meritojnë këtë përbuzje që Lëvizja Besa po ia bën qytetit. Andaj, në zgjedhjet e 24 prillit, qytetarët ia treguan vendin Lëvizjes Besa dhe më 8 maj do ta japin vulën e fitores për “Frontin Europian” në Tetovë dhe në të gjitha qytetet tjera.

Një menaxhment që nuk ka asnjë projekt autentik të realizuar, një menaxhment që çdo projekt qeveritar tenton ta vjedh dhe përvetësoj, një menaxhment, individët e të cilës po pasurohen dita-ditës, një menaxhment që e han hakun dhe nëpërkëmbë djerës e punëtorëve, një ditë e më parë duhet të shkojë në shtëpi. Edhe ashtu, më 24 prill qytetarët ia morën legjitimitetin për të qeverisur me Tetovën.

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR