Frika, zemërimi dhe ankthi janë problemet më të shpeshta të raportuara në linjën e ndihmës për fëmijë "Alo Bushavko" në vitin 2024
- Linja për ndihmën e fëmijëve "Alo Bushavko" në ambasadën e parë të fëmijëve "Megjashi" gjatë vitit të kaluar ka pranuar 208 thirrje ku mbështetje morën gjithsej 222 fëmijë dhe të rinj. Problemet më të zakonshme kanë qenë ato lidhur me shëndetin mendor, ndërsa gjendjet më të zakonshme të raportuara kanë qenë problemet e frikës, ankthit dhe zemërimit. Sipas grupmoshës, shumica e tyre kanë pasur të bëjnë me fëmijë nga mosha shtatë deri në nëntë vjeç, nga të cilët 108 kanë qenë meshkuj dhe 87 femra.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:40, 24 prill, 2025

Shkup, 24 prill 2025 (MIA) - Linja për ndihmën e fëmijëve "Alo Bushavko" në ambasadën e parë të fëmijëve "Megjashi" gjatë vitit të kaluar ka pranuar 208 thirrje ku mbështetje morën gjithsej 222 fëmijë dhe të rinj. Problemet më të zakonshme kanë qenë ato lidhur me shëndetin mendor, ndërsa gjendjet më të zakonshme të raportuara kanë qenë problemet e frikës, ankthit dhe zemërimit. Sipas grupmoshës, shumica e tyre kanë pasur të bëjnë me fëmijë nga mosha shtatë deri në nëntë vjeç, nga të cilët 108 kanë qenë meshkuj dhe 87 femra.
Raporti vjetor i organizatës i cili u prezantua sot në Qendrën për ndërmarrje sociale, tregon se 74.2 për qind e të gjitha rasteve të raportuara kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Në mesin e fëmijëve të cilët u paraqitën, 97 u ankuan për frikë dhe ankth, 93 për vështirësi me zemërim, ndërsa 79 fëmijë shprehën shqetësim të thellë për veten e tyre.
"Arsyet kryesore për situata të tilla janë prishja e marrëdhënieve mes prindërve, sidomos pas divorceve, si dhe paqëndrueshmëria emocionale që lind nga ato situata", thuhet në raport.
Kategoria "“Marrëdhëniet me familjen” e cila është e katërta më e zakonshme, përfshin 17 raste që lidhen drejtpërdrejt me konfliktet mes prindërve.
Në vend të dytë renditen rastet e dhunës dhe neglizhencës, të cilat përbëjnë 16.8 për qind të rasteve të raportuara. Lloji më i shpeshtë i raportuar i dhunës ishte dhuna emocionale (30 raste), ndjekur nga neglizhenca (21) dhe dhuna fizike (18 raste).
Janë raportuar edhe shkelje të të drejtave të fëmijëve në arsim. Nga gjithsej 18 raste, 16 kanë të bëjnë me parregullsi në marrëdhëniet me personelin mësimor apo profesional.
Shumica e fëmijëve vijnë nga zonat urbane (210 fëmijë), ndërsa sipas përkatësisë etnike, 168 nga thirrësit janë maqedonas, 16 shqiptarë, 7 romë, ndërsa për 17 raste përkatësia etnike nuk është përcaktuar.
Nga “Megjashi” apelojnë për bashkëpunim më të fortë ndërsektorial, shërbime më të mira të shëndetit mendor për fëmijët, si dhe rritje të ndjeshmërisë së shkollave dhe familjeve në njohjen dhe trajtimin e këtyre problemeve. qa/
Foto: arkivi i MIA-s