• e hënë, 23 dhjetor 2024

Franca vendos kufizime "të papara" të ujit pas dimrit më të thatë në 64 vitet e fundit

Franca vendos kufizime

Paris, 23 shkurt 2023 (MIA) - Franca po përgatitet që nga marsi të vendosë kufizime në konsumin e ujit në disa pjesë të vendit, veprim i paprecedentë për këtë periudhë të vitit pas dimrit më të thatë në 64 vitet e fundit, tha ministri i Mjedisit Jetësor, Kristof Beshu.

Franca regjistroi 32 ditë pa shi, njoftoi shërbimi i motit Meteo-Frans. Kufizime ka në 87 komuna në pjesën jugore të vendit, gjë që ndodh kryesisht në verë, jo në dimër.

“Në takimet me zyrtarët të premten dhe të hënën do të shqyrtohet mundësia e zgjatjes së kësaj periudhe”, tha Beshu.

“Kjo është e paprecedentë” për këtë periudhë të vitit, tha ministri për kanalin televiziv Francinfo, duke shtuar se Franca është në gatishmëri.

Rezervat e ujit në Francë janë të ulëta në krahasim me vitin e kaluar, e dyta më e ulëta në dhjetë vjet, ndërsa sasia e borës në Alpe është gjithashtu e ulët në krahasim me vitin 2022, që ishte një vit veçanërisht i thatë.

“Në përgjithësi, ne presim prodhim të ulët të hidrocentralit dhe nivele më të ulëta të lumenjve për pranverë dhe verë”, tha eksperti Zhan Pol Armand.

Meteo-Frans publikoi se reshjet e shiut gjatë tre muajve të ardhshëm do të jenë vendimtare për kthimin e ujërave nëntokësore dhe lumenjve në nivelet e tyre normale para verës. Që nga gushti 2021, të gjithë, përveç tre muajve, kanë pasur mungesë shiu. ls/

Foto: EPA


QËNDRONI TË LIDHUR