• e premte, 05 dhjetor 2025

Forumi afarist Maqedoni - Serbi: Bashkimi i potencialeve për një ekonomi rajonale më të fortë

Forumi afarist Maqedoni - Serbi: Bashkimi i potencialeve për një ekonomi rajonale më të fortë

Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Forumi afarist Maqedoni-Serbi që po zhvillohet sot në Shkup i bashkon potencialet ekonomike të të dyja vendeve dhe është shprehje e vizionit të përbashkët për një ekonomi rajonale më të fortë dhe për thellimin e partneriteteve, tha zëvendëskryeministri dhe ministër për marrëdhënie mes komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, në hapjen e forumit.

"Po ndërtojmë një ekonomi që është e qëndrueshme, e parashikueshme dhe inovative, dhe e bazuar në investime. Prandaj, forumet e tilla nuk janë formalitet, por motor i projekteve konkrete për rritje, zhvillim dhe suksese të përbashkëta", tha Stoilkoviq.

Ai pret që forumi të sjellë partneritete të reja biznesi mes biznesmenëve të Maqedonisë dhe Serbisë, investime, hapje të kanaleve të reja për eksport dhe vende pune, gjë që së shpejti do të rezultojë në rritje të shkëmbimeve tregtare në nivel prej dy miliardë eurosh.

Sipas Stoilkoviq, "Maqedonia hyn në këtë bashkëpunim me rezultate ekonomike të qëndrueshme dhe bindëse", dhe për këtë ai vuri në dukje të dhënat për rritjen ekonomike prej 3,4 për qind, për inflacionin midis 3,5 dhe 4 për qind, si dhe për rritjen e pagës neto, prodhimin industrial që tregon se ndjek një trajektore pozitive ekonomike, aktivitetet për stabilitet financiar përmes uljes së borxhit publik dhe nivelin e investimeve.

Të gjitha këto, theksoi ai, nuk do të kishin asnjë qëllim nëse nuk çonin drejt një ekonomie rajonale më të fortë, më konkurruese dhe më dinamike. "Prandaj, në marrëdhëniet me Serbinë po ndërtojmë një partneritet të bazuar në besim, interesa të përbashkëta dhe rezultate praktike. Ekonomitë tona janë natyrshëm të lidhura, tregjet tona plotësojnë njëra-tjetrën, kompanitë tona krijojnë vlerë që rritet me çdo bashkëpunim. Së bashku krijojmë një treg me 10 milionë njerëz me perspektiva të forta në agroindustri, komponentët e automjeteve, energjinë dhe logjistikën", tha Stoilkoviq.

Forumi vazhdon me fjalimin e zv/kryeministres së Qeverisë së Serbisë dhe ministre e Ekonomisë, Andrijana Mesaroviq, si dhe kryetarëve të odave ekonomike.

Stoilkoviq dhe Mesaroviq më parë sot në Qeveri nënshkruan një Memorandum për bashkëpunim mes dy shteteve dhe zhvilluan një takim ku u diskutua për bashkëpunimin dypalësh dhe për intensifikimin e tij. qa/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR