• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Të inkurajojmë bashkëpunimin në gjetjen e përgjigjeve ndaj sfidave globale

Fon der Lajen: Të inkurajojmë bashkëpunimin në gjetjen e përgjigjeve ndaj sfidave globale

 

Bruksel, 16 janar 2024 (MIA) - Të dhënat në Raportin për rreziqet globale për vitin 2024 janë befasuese dhe kthjelluese, por për komunitetin e biznesit shqetësimi kryesor për dy vitet e ardhshme nuk janë konfliktet apo klima, por keqinformimet të ndjekura me polarizim të shoqërive tona, tha sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon Der Lajen në fjalimin në Forumin ekonomik botëror në Davos.

"Këto rreziqe janë serioze sepse e kufizojnë aftësinë tonë për t'u përballur me sfidat kryesore globale me të cilat përballemi: Ndryshime në klimën tonë dhe klimën tonë gjeopolitike, ndryshime në demografinë tonë dhe teknologjinë tonë, konfliktet rajonale të lidhura dhe konkurrenca e intensifikuar gjeopolitike dhe ndikimet e tyre në zinxhirët e furnizimit", theksoi Fon der Lajen.

Sipas saj, situata të tilla e bëjnë edhe më aktuale temën e këtij Forumi - "Rindërtimi i besimit", sepse nuk është koha për konflikte apo polarizime, por për ndërtimin e besimit,

"Kjo është kohë për të inkurajuar bashkëpunimin global më shumë se kurrë më parë. Kjo kërkon përgjigje të menjëhershme dhe strukturore të përshtatshme me madhësinë e sfidave globale. Besoj se kjo mund të bëhet dhe besoj se Evropa mund dhe duhet të marrë udhëheqjen në formësimin e asaj përgjigje globale", shtoi Fon der Lajen.

Ajo theksoi se çelësi i gjithë kësaj është bashkëpunimi për të krijuar kushte për prosperitet, mirëqenie dhe siguri për njerëzit, për një mjedis stabil për inovacionet dhe investimet dhe për mundësi të barabarta dhe liri.

"Ky vit 2024 është viti më i madh zgjedhor në histori. Demokracitë në mbarë botën do të drejtohen drejt qendrave të votimit, me çka do të mbulohet gjysma e popullsisë globale, duke përfshirë mbi 450 milionë njerëz në Bashkimin Evropian. Një Union prej 27 demokracish ku të gjithë kemi të drejtë të themi mendimin tonë, të jemi vetvetja, edhe nëse jemi ndryshe nga shumica. Në një demokraci, janë njerëzit që zgjedhin fituesit dhe humbësit me zgjedhjet dhe sjelljet e tyre, tha Fon der Lajen.

Ajo thekson se liria mbart edhe rreziqe, sepse gjithmonë do të ketë nga ata që do të përpiqen të përfitojnë nga hapja dhe të “na nxjerrin nga binarët, shembull, me dezinformata”. ls/

Foto: EBS

 

QËNDRONI TË LIDHUR