• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fon der Lajen pas takimit me Tuskun: Polonia na duhet në anijen e BE-së

Fon der Lajen pas takimit me Tuskun: Polonia na duhet në anijen e BE-së

Bruksel, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Shqetësimet rreth sundimit të ligjit në Poloni kanë kufizuar deri tani kapacitetin e BE-së për të ndihmuar vendin të modernizojë ekonominë e saj dhe të zbatojë tranzicionin e gjelbër dhe digjital, kështu që tani duhet të kompensojmë kohën e humbur, tha sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen pas takimit me kryeministrin e ri polak Donald Tusk në margjinat e Samitit të BE-së në Bruksel.

"Kohët janë sfiduese dhe angazhimi juaj personal dhe përvoja evropiane do të jenë të paçmueshme për familjen tonë evropiane. Ne kemi shumë punë para nesh dhe jam e lumtur që mund ta bëjmë atë", i tha Fon der Lajen Tuskut i cili është ish kryetar i Këshillit të BE-së.

Ajo theksoi se mirëpret angazhimin e Tuskut për të vendosur sundimin e ligjit në krye të agjendës së qeverisë së tij dhe për të adresuar të gjitha shqetësimet që janë shprehur vitet e fundit nga institucionet evropiane lidhur me zhvillimet në Poloni. 

"Përshëndes gjithashtu nismën tuaj që Polonia t'i bashkohet Prokurorisë publike evropiane. Ky është një lajm i mirë para së gjithash për qytetarët polakë, por edhe për partnerët evropianë dhe qytetarët evropianë", shtoi kryetarja e Komisionit Evropian.

Sipas saj, BE-ja dhe Polonia duhet të kompensojnë kohën e humbur dhe do të duhet të punojnë shumë për të zgjidhur të gjitha çështjet së bashku.

"Komisioni po punon për të transferuar pesë miliardë euro në Poloni si parafinancim para fundvitit. Kjo do të ndihmojë Poloninë të modernizojë sistemet e saj të energjisë dhe përpjekjet për dekarbonizimin. Me të vërtetë, lufta kundër ndryshimeve klimatike është prioriteti më thelbësor për të gjithë ne. Na duhet Polonia, sigurohuni që Komisioni është në anën tuaj", theksoi Fon der Lajen.

Tusk nga ana e tij theksoi se kushdo që e njeh realitetin evropian dhe polak është i vetëdijshëm se Polonia nuk ka pasur një mik kaq të madh siç është kryetarja i KE-së, të cilën e falënderoi për vendimin për pagesën e fondeve të BE-së për vendin e tij. 

"Ne e dimë se shteti i së drejtës është shumë i rëndësishëm, ka të bëjë me vendin tonë në Evropë, me vlerat tona", theksoi Tusk.

Sipas tij, avokatët polakë, prokurorët, gjyqtarët dhe qytetarët polakë nuk janë pajtuar asnjëherë me ndërtimin e Polonisë pa sundimin e ligjit dhe asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga lufta për këtë parim.

"Pesë miliardë eurot e dhëna do të jenë një dhuratë për Krishtlindje. Nuk është një dhuratë e vogël, këto janë fonde shumë të rëndësishme, të cilat do të përdoren për të forcuar sovranitetin tonë energjetik. Ne do të përpiqemi t'i përdorim këto fonde në mënyrën e duhur", shtoi Tusk.

Ai theksoi se anëtarësimi i Polonisë në Prokurorinë publike evropiane është një veprim shumë i rëndësishëm i cili tregon seriozitetin e synimeve të vendit për të respektuar sundimin e ligjit dhe për të përdorur në mënyrë të duhur fondet evropiane. rq/

Foto: EBS

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR