• e diel, 02 shkurt 2025

Fon der Lajen: Në një botë të ndryshuar gjeopolitike BE-ja duhet të ndryshojë disa gjëra që t'i mbrojë vlerat e saj

Fon der Lajen: Në një botë të ndryshuar gjeopolitike BE-ja duhet të ndryshojë disa gjëra që t'i mbrojë vlerat e saj

Strasburg, 22 janar 2025 (MIA) – Tri javët e para të vitit 2025 janë tregues për ndryshimin në politikën globale dhe hymë në epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike, ku kemi punë me forca me madhësi të kontinentit, të cilët angazhohen mes vete kryesisht në bazë të interesave, theksoi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin në debatin në Parlamentin Evropian kushtuar rezultateve nga Samiti i dhjetorit i BE-së.

“Kjo dinamikë gjithnjë e më shumë do të dominojë në marrëdhëniet mes aktorëve globalë. Rregullat për angazhim po ndryshojnë. Ndoshta dikujt në Evropë nuk i pëlqen ky realitet, Por, që t’i mbrojmë, duhet të ndryshojnë disa gjëra”, tha Fon der Lajen. 

Sipas saj, që t’i mbrojë interesat dhe vlerat e saja BE-ja duhet të jetë ekonomikisht e fuqishme, prandaj javën e ardhshme Komisioni Evropian do ta prezantojë “Kompasin e konkurrencës” i cili do të vendosë tre qëllime mbylljen e hendekut në inovacionet mes Unionit dhe konkurentëve të tij, vërtetimin e udhërrëfyesit të përbashkët për dekarbonizim dhe konkurrencë dhe fuqizimin e rezistencës ekonomike dhe siguri në bllok. 

Ajo foli edhe për çmimet e karburanteve, të cilat, siç tha, në Evropë janë më të larta në strukturë se sa në SHBA ose Kinë dhe dukshëm dallohen përgjatë BE-së.

“Prandaj, ne duhet t'i zvogëlojmë ato, ndërkohë që përfundojmë heqjen graduale të karburanteve fosile ruse... Ne duhet të vazhdojmë të diversifikojmë burimet tona të energjisë, të investojmë në teknologjitë e energjisë së pastër... dhe të mobilizojmë kapital më të madh privat për t'i modernizuar rrjetet tona dhe infrastrukturën”, tha fon der Lajen, duke theksuar se këto angazhime do të jenë pjesë e Planit të ri të Energjisë, të cilin Komisioni Evropian do ta prezantojë në shkurt.

Fon der Lajen vlerësoi edhe se BE-ja duhet ta fuqizojë rezistencën dhe sigurinë e saj ekonomike, në kushte kur forcat globale luftojnë për qasje në minerale dhe zinxhirë të furnizimit, për çka është i nevojshëm fuqizimi dhe zgjerimi i partneritetit të Unionit përgjatë botës. 

“Në vitet e fundit, ne kemi lidhur më shumë se 35 marrëveshje të reja me partnerë në mbarë botën, pikërisht për të siguruar qasje në lëndët e para ose hidrogjen të pastër dhe për të diversifikuar disa nga zinxhirët tanë të furnizimit me teknologji të pastër”, tha fon der Lajen.

Sipas saj, angazhimi i tillë i ri përreth botës nuk është vetëm domosdoshmëri ekonomike, por edhe mesazh dhe përgjigje e Evropës përballë konkurrencës globale në rritje.

"Duam bshkëpunim më të fortë me të gjithë që janë të hapur për këtë, ndërsa kjo gjithsesi përfshin partnerët tanë më të afërt. Mendoj, kuptohet, SHBA. Asnjë ekonomi tjetër në botë nuk është aq e integruar si Evropa dhe Amerika", tha Fon der Lajen.

Ajo shtoi se në marrëdhëniet me Administratën  e re amerikane, BE-ja gjithmonë do t'i ketë në mendje lidhshmërinë dhe miqësinë, lidhjet familjare, historinë dhe kulturën e përbashkët nga të dyja anët e Atlantikut.

"Prioriteti ynë i parë do të jetë sa më shpejtë të angazhohemi, të bisedojmë për interesat e përbashkëta dhe të jemi të gatshëm për negociata. Dhe kur të vjen koha për negociata, do të jemi pragmatik në kërkesën e gjuhës së përbashkët. Por, gjithashtu, dua ta dini se ne gjithmonë do të qëndrojmë në parimet tona evropiane", përfundoi Fon der Lajen në fjalimin para deputetëve evropian. fc/sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR