• e premte, 05 dhjetor 2025

Fon der Lajen: Komisioni Evropian propozon 100 miliardë euro për Ukrainën në buxhetin e ri të BE-së

Fon der Lajen: Komisioni Evropian propozon 100 miliardë euro për Ukrainën në buxhetin e ri të BE-së

Bruksel, 16 korrik 2025 (MIA) - Komisioni Evropian planifikon të ndajë 100 miliardë euro për Ukrainën brenda kuadrit të të ri buxhetor për vitet 2028-2034 përmes Programit për Ukrainën.

Këtë e publikoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në një konferencë për shtyp pas një takimi të Kolegjiumit të KE-së.

“Ne po ndajmë 100 miliardë euro për Ukrainën për të plotësuar Programin për Ukrainën për të mbështetur rimëkëmbjen, qëndrueshmërinë dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Fon der Lajen.

Ajo kujtoi se pas rishikimit të fundit të buxhetit aktual, 50 miliardë euro janë ndarë tashmë për Programin për Ukrainën.

Duke folur për shifrat e përgjithshme për buxhetin e ri shtatëvjeçar të BE-së, Fon der Lajen tha: “Ky është një buxhet prej dy trilionë eurosh për një epokë të re. Ky është një buxhet që përmbush ambiciet e Evropës, që përmbush sfidat e Evropës dhe që forcon pavarësinë tonë. Është më i madh, më i zgjuar dhe më i fokusuar. Është një buxhet që u sjell dobi qytetarëve tanë, bizneseve tona, partnerëve tanë dhe të ardhmes sonë.”

Ajo theksoi se ky do të jetë propozimi më ambicioz i buxhetit të BE-së ndonjëherë.

“Është më strategjik, më fleksibil dhe më transparent”, tha Fon der Lajen.

Pas propozimit të buxhetit nga Komisioni, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian do të duhet të miratojnë qëndrimet e tyre zyrtare për të. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR