• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fon der Lajen do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

Fon der Lajen do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

Bruksel, 13 tetor 2023 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen të dielën do të udhëtojë për në Tiranë, ku do të ketë takime me shefin e shtetit shqiptar, Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama kushtuar procesit të bisedimeve të vendit për anëtarësim në BE, njoftoi zëdhënësi kryesor i KE-së, Erik Mamer në brifingun e sotëm të rregullt të mesditës. 

"Të hënën kryetarja do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit me partnerët nga Ballkani Perëndimor dhe do të marrë pjesë në hapjen e Zyrës për Lidhje të Këshillit të Evropës në Tiranë", shtoi Mamer.

Siç informoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve se pse Fon der Lajen do ta vizitojë vetëm Shqipërinë, ndërsa jo edhe Maqedoninë e Veriut, kur që të dyja vendet janë në nivelin e njëjtë në procesin e bisedimeve për anëtarësim dhe "gjithnjë shkojnë bashkë", Mamer deklaroi se ajo po shkon në Tiranë që të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. 

"Kryetarja Fon der Lajen është në tërësi e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor dhe rregullisht e viziton rajonin. Në Tiranë ajo do të ketë takime dypalëshe me përfaqësues të vendit, siç është planifikuar, para publikimit të raportit vjetor për progresin. Kjo nuk nënkupton se nuk do të vizitojë edhe vende të tjera nga rajoni dhe ne me kohë do tu informojmë për planet e vizitave", deklaroi Mamer, duke shtuar se raporti i KE-së për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në rrugën e tyre evropiane do të publikohet në fillim të muajit të ardhshëm, sipas gjitha gjasave më 9 nëntor". fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR