Fon der Lajen dhe Koshta urojnë Danin për zgjedhjen si president të Rumanisë
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta i shprehën urimet e tyre "të sinqerta" dhe "më të ngrohta" për fitoren e kryetarit të bashkisë së Bukureshtit, Nikushor Dan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
- Post By Fami Bajrami
- 11:14, 19 maj, 2025
Bruksel, 19 maj 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta i shprehën urimet e tyre "të sinqerta" dhe "më të ngrohta" për fitoren e kryetarit të bashkisë së Bukureshtit, Nikushor Dan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
"Nga Asambleja e qytetit në Këshillin Evropian. Urime të sinqerta Nikushor Danit për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Rumani”, tha Fon der Lajen në publikimin në Iks.
Sipas saj, zgjedhja e Danit si president i Rumanisë është një sinjal i fortë i angazhimit të rumunëve ndaj projektit evropian.
"Gëzohem për bashkëpunimin me ju për një Evropë dhe Rumani më të mirë. Urime të sinqerta”, shton Fon der Lajen në postim.
Duke i shprehur urimet e tij më të ngrohta Danit për fitoren, Koshta në postimin në Iks, theksoi se populli rumun doli masivisht në votime duke zgjedhur premtimin e një Rumanie të hapur dhe prosperuese për një Evropë të fortë.
"Bashkë të përmbushim këtë premtim. Pres me padurim të punoj me ju", shton Koshta në mesazhin e urimit.
Foto: arkivat e MIA-s