• e diel, 22 dhjetor 2024

Fon der Lajen: BE-ja do t'i ndajë Ukrainës 160 milionë euro për furnizim me energji elektrike

Fon der Lajen: BE-ja do t'i ndajë Ukrainës 160 milionë euro për furnizim me energji elektrike

Bruksel, 20 shtator 2024 (MIA) - Komisioni Evropian do t'i ndajë Ukrainës mbështetje shtesë në vlerë rreth 160 milionë euro që do ta ndihmojë vendin të mbulojë mbi 25 për qind të nevojave të saj për energji elektrike, paralajmëroi kryetarja e KE-së, Ursula Fon der Lajen e cila herët në mëngjes udhëtoi për vizitë në Kiev.

Siç njofton raportuesi i cili në emër të Agjencisë Evropiane të Lajmeve (ENR), anëtare e së cilës është dhe MIA, po ndjek vizitën e Fon der Lajenit në Kiev, kryetarja e KE-së theksoi se sulmet e pamëshirshme ruse mbi infrastrukturën civile energjetike të Ukrainës kanë për qëllim të shkaktojnë dëme maksimale dy javë para fillimit të sezonit të ngrohjes.

"Për atë kjo është arsyeja pse vizita ime e tetë në Kiev vjen në një kohë kyçe. Ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saja të guximshme për t'i tejkaluar këto probleme", potencoi Fon der Lajen.

Ajo tha se ndihma e paralajmëruar prej 160 milionë euro është në kuadër të Planit të ri të gatishmërisë për sezonit e dimrit që e ka përgatitur KE-ja dhe të cilin do t'ia prezantojë presidentit ukrainas Volodimir Zelenski gjatë takimit të sotëm.

"Do të diskutojmë dhe për mbështetjen tonë për mbrojtjen e guximshme të Ukrainës dhe për ta bërë Rusinë të paguajë për dëmet nga të ardhurat e krijuara nga mjetet e ngrira ruse", deklaroi kryetarja e KE-së, duke shtuar se nga Danimarka filloi përdorimi i këtyre mjeteve për armë dhe pajisje ushtarake direkt nga industria e mbrojtjes së Ukrainës.

Fon der Lajen informon se do të bisedojë me Zelenskin edhe rreth huave të dakorduara në takimin e G7 në Apulia, të cilat, sipas saj, do të mundësojnë lehtësim të konsiderueshëm për buxhetin e Ukrainës.

Ajo paralajmëroi se në bisedimet në Kiev do të diskutohet për ambiciet e Ukrainës për anëtarësim në BE dhe se si Komisioni mund t'i mbështesë këto përpjekje. Ukraina në procesin e anëtarësimit është në fazën e shqyrtimit, e cila, sipas Fon der Lajenit po vazhdon pa probleme.

"Do të diskutojmë dhe për mbështetjen globale për planet e Ukrainës për paqen dhe rimëkëmbjen. Sesioni i Asamblesë së përgjithshme të KB-së javën e ardhshme do të jetë një mundësi për të përcjellë mesazhe të rëndësishme dhe për të siguruar mbështetje, veçanërisht nga vendet e jugut", shtoi Fon der Lajen.

Kjo është vizita e tetë e Fon der Lajenit në Kiev që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Vizita e mëparshme e kryetares së KE-së në Ukrainë ishte në shkurt të këtij viti. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR