Fon der Lajen: BE-ja dhe SHBA-ja së bashku do të punojnë për kthimin e fëmijëve të zhdukur ukrainas
- Evropa dhe SHBA-ja do të punojnë së bashku për t'i kthyer në shtëpi fëmijët e zhdukur nga Ukraina dhe për të lehtësuar situatën e tyre të vështirë, deklaroi mbrëmë vonë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen pas takimit me presidentin amerikan Donald Tramp në Nju Jork.
Nju Jork, 24 shtator 2025 (MIA) - Evropa dhe SHBA-ja do të punojnë së bashku për t'i kthyer në shtëpi fëmijët e zhdukur nga Ukraina dhe për të lehtësuar situatën e tyre të vështirë, deklaroi mbrëmë vonë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen pas takimit me presidentin amerikan Donald Tramp në Nju Jork.
"Kisha një bisedë të mirë me presidentin Tramp në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së. Biseduam për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. U dakorduam për nevojën e reduktimit të shpejtë të të ardhurave të Rusisë nga karburantet fosil", theksoi fon der Lajen.
Sipas saj, pikërisht ky është edhe qëllimi i pakos së 19-të të sanksioneve që Komisioni Evropian e propozoi të premten, me të cilën parashikohet ndalimi i importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus në BE dhe sanksionimin e tregtarëve të naftës dhe rafinerive në Rusi dhe në vende të treta. Për më tepër, siç theksoi ajo, deri në vitin 2027, Evropa do të ndalojë përfundimisht përdorimin e karburanteve fosile ruse.
"Gjithashtu, diskutuan dhe për provokimet e Kremlinit, përfshirë sulmet e vazhdueshme në hapësirën ajrore evropiane. Këto janë përpjekje të qarta për të testuar përgjigjen tonë", theksoi fon der Lajen.
Pikërisht për shkak të këtyre ngjarjeve, sipas kryetares së KE-së, BE-ja po forcon përpjekjet e saj mbrojtëse për të forcuar krahun e saj lindor, sepse "duhet të veprojë si një mburojë edhe për Evropën dhe për NATO-n".
Fon der Lajen shtoi se në takimin me Trampin u diskutua gjithashtu për situatën në Lindjen e Mesme, dhe se ata u dakorduan që duhet t'i vihet një fund vuajtjes së civilëve. qa/
Foto: EBS