Fon Der Lajen: Është koha që Evropa të mendojë me një "mentalitet të urgjencës"
- Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen deklaroi se BE-ja duhet të zhvillojë një “mentalitet të urgjencës” kur bëhet fjalë për sigurinë dhe paralajmëroi lehtësimin e rregullave strikte të huamarrjes për t'u lejuar vendeve evropiane të rrisin investimet në mbrojtje.

Mynih, 14 shkurt 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen deklaroi se BE-ja duhet të zhvillojë një “mentalitet të urgjencës” kur bëhet fjalë për sigurinë dhe paralajmëroi lehtësimin e rregullave strikte të huamarrjes për t'u lejuar vendeve evropiane të rrisin investimet në mbrojtje.
"Kjo do t'i lejojë vendet anëtare të rrisin ndjeshëm buxhetet e tyre të mbrojtjes," deklaroi Fon der Lajen në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Sipas rregullave ekzistuese, deficiti buxhetor i vendeve të BE-së nuk duhet të kalojë 3 për qind të PBB-së dhe borxhi publik nuk duhet të kalojë 60 për qind të PBB-së.
“Duhet të përvetësojmë të njëjtin mentalitet urgjence që kishim kur blinim vaksinat për koronavirusin”, theksoi kreu i KE-së.
Ajo theksoi se aktualisht vendet evropiane shpenzojnë rreth 2 për qind të PBB-së për mbrojtje, ndërsa vitin e kaluar shpenzimet totale janë rritur nga 200 në 320 miliardë euro.
"Por ne do të duhet të rrisim ndjeshëm këto investime. Rritja nga 2 për qind në 3 për qind do të nënkuptonte qindra miliarda euro investime shtesë, tha Fon der Lajen, duke shtuar se një pjesë e financimit mund të vijë nga fondet e përbashkëta, duke përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve, e cila aktualisht nuk lejohet të japë kredi për projekte ushtarake.
Duke folur për Ukrainën, Fon der Lajen theksoi se BE-ja, e cila deri më tani e ka ndihmuar vendin me 130 miliardë euro, mund të sigurojë paqe të qëndrueshme së bashku me presidentin amerikan Donald Tramp.
"Presidenti Volodimir Zelenski është i gatshëm të punojë për një paqe që do të nderojë sakrificën e vendit të tij dhe bashkatdhetarëve të tij. (Presidenti rus Vladimir) Putin duhet të tregojë se nuk ka interes për të vazhduar luftën dhe se ka hequr dorë nga ambiciet e tij për të shkatërruar Ukrainën. Dështimi i Ukrainës do të nënkuptonte gjithashtu një dobësim të Evropës dhe SHBA-së, përfundoi kreu i Komisionit Evropian. ls/
Foto: EPA