• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fjalë përmbyllëse të mbrojtjes për rastin "Llaskarca"

Fjalë përmbyllëse të mbrojtjes për rastin

Shkup, 26 dhjetor 2023 (MIA)  - Me fjalë përmbyllëse të avokatit Sasho Dukovski, avokat i të akuzuarit të katërt në rastin "Llaskarca", në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për aksidentin e komunikacionit në të cilin 16 persona e humbën jetën e tyre ndërsa mbi 30 ishin lënduar. 

Sipas avokatit Sasho Dukovski, prokurori publik në procedurë i ka sulmuar të gjitha dëshmitë të cilat shkojnë në interes të të akuzuarve. Ai tha se është formuar një koalicion, siç tha, "ndërmjet atij që ndjek dhe një prej të akuzuarve", që, sipas tij, deri më tani nuk është vërejtur në praktikë. 

"Nga ku e ka të drejtën prokurori publik të tregojë se çfarëdo lloj veprimi i Goran Dukovskit, ishte me paramanendimin e tij eventual, se ishte i vetëdijshëm për pasojat dhe është pajtuar me të njëjtat. Dikush të pajtohet me pasojë prej 16 viktimave. Non sens më të madh juridik nuk kam parë në karrierën time juridike", tha Dukovski. 

Avokati Dukovski në fjalët përfundimtare ka thënë se për të, siç tha, është e pakuptueshme si shkaktuesi i drejtpërdrejt i aksidentit të komunikacionit është i akuzuari i gjashtë në këtë procedurë. Gjatë analizës së tij të dëshmive të nxjerra në procedurën e dëshmive theksoi se aksidenti është shkaktuar nga faktor subjektiv. 

"Është fakt se aksidenti i komunikacionit është bërë vetëm për shkak të faktorit subjektiv, gjegjësisht mungesa e vëmendjes së shoferit", theksoi ai. 

Pastaj foli edhe për situatën teknike të autobusit, me çka, sipas tij, të gjitha ndalesat e mëparshme të autobusit konkret ishin të duhura. 

"Askund ky autobus i cili atë ditë më parë kishte ardhë në Shkup, nuk tregon parregullsi. Të gjithë ekspertët thonë se nuk ka kurrfarë dëshmi se autobusi ka pasur sistem të dobët të frenimit. Por, vetëm prokuroria e gjen atë si arsye kryesore për shkaktimin e aksidentit të komunikacionit", tha ai.

Dukovski kërkoi aktgjykim, me të cili i akuzuari Goran Dukovski do të lirohet nga akuza. 

Fjalën përfundimtare sot i ka dhënë edhe i akuzuari i katërt, Goran Dukovski, i cili pasoi avokatin e tij në pjesën e koalicionit të prokurorit me mbrojtjen e të akuzuarit të gjashtë. Ai tha se fjala "pakujdesi" e përdorur nga prokurori në fjalën e tij përfundimtare dhemb më shumë se aktakuza.

"Ai në fjalën e tij përmbyllëse tha fjalën 'pakujdesi' që dhemb më shumë se aktakuza. Çfarë i jep të drejtën të flasë për pamaturinë tonë. Nga e di ai se si unë, kolegët e mi, pa shoferin Mane, e kalova natën kur morëm informacione se cili nga të dashurit tanë humbi jetën, u plagos apo shpëtoi", tha ai.

Fjalë përfundimtare sot duhet të japë edhe mbrojtja e të akuzuarit të pestë, Jane Bovarski, dhe të akuzuarit të gjashtë Manoil Trifunovski.

Në seancat e kaluara gjyqësore, fjalë përfundimtare dhanë mbrojtja e të akuzuarit të parë Durmish Beluli, i të akuzuarit të dytë Remzi Miftari dhe të akuzuarit të tretë Igor Gjorgjievski të cilët, gjithashtu, kërkuan lirim duke thënë se nuk janë dëshmuar veprat për të cilat akuzohen. 

Prokurori publik, Darko Jakimovski kërkoi dënimin më të rreptë për të akuzuarit për aksidentin e autobusit që ndodhi në vitin 2019 në afërsi të Llaskarcës. Sipas tij,  te të gjithë të akuzuarit ka pasur pamaturi në veprimet dhe ka qenë vetëm çështje kohe mbi çfarë baze, siç tha "kaosi i punës mund të rezultojë  me pasoja të tilla apo të ngjashme".

Dënim më të rreptë atëherë kërkuan edhe të dëmtuarit, prindërit dhe të afërmit e të vdekurve në aksident e komunikacionit. Të akuzuar për aksidentin në afërsi të Llaskarcës, që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo Turs", përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërsa, tre punonjësit në stacionin e kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Bukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për bashkëpjesëmarrje në të njëjtën vepër. 

Sipas nenit 300 paragrafi 2 nga Kodi Penal për të cilin akuzohen të dyshuarit, dënimi me burg është së paku katër vjet.  

Procesin e udhëheqë gjykatësja Diana Gruevska Ilievska. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR