• e martë, 24 dhjetor 2024

Fillon sezoni i ngrohjes në Shkup, çmimi për momentin mbetet i njejtë

Fillon sezoni i ngrohjes në Shkup, çmimi për momentin mbetet i njejtë

Shkup, 15 tetor 2023 (MIA) -  Sezoni i ngrohjes në Shkup fillon sot dhe do të zgjasë deri më 15 prill të vitit të ardhshëm, ndërsa çmimi për energjinë ngrohëse të shpenzuar për momentin mbetet i njëjtë. Një vendim i ri për çmimin do të merret pas instalimit të gazsjellësit në urën e Bellasicës.

Siç informon Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Menaxhim me Mbeturinat Komunale (KRRE), sipas rregullave për furnizim me energji ngrohëse dhe Sistemit tarifor për shitjen e energjisë ngrohëse, sezoni i ngrohjes në Shkup fillon më 15 Tetor 2023 dhe përfundon më 15 Prill të vitit 2024, me mundësi zgjatjeje edhe për 15 ditë në varësi të temperaturave të jashtme.

"Jemi dëshmitarë se ditët në këtë periudhë të vitit janë më të ngrohta dhe të njëjtën e tregojnë edhe temperaturat e parashikuara që marrim nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Megjithatë, sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe furnizuesi është i detyruar të sigurojë temperaturën e ngrohjes prej 20+1 gradë Celsius në dhomat e ngrohjes nga ora 6:00 deri në orën 22:00 gjatë ditës. Çmimi i energjisë ngrohëse mbetet i njejtë. Një vendim i ri do të merret pasi të vendoset gazsjellësi në urën e Bellasicës, i cili do të mundësojë kushte për një ndarje të detajuar të shpenzimeve", tha Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.

Ai theksoi se dorëzimi i energjisë ngrohëse do të bëhet në përputhje me rregullat e rrjetit për shpërndarjen e energjisë ngrohëse.

KRRE apelon tek të gjithë konsumatorët në tregun e rregulluar, gjegjësisht tek institucionet dhe amvisëritë, që të vazhdojnë me shpenzimin racional të energjisë, sikurse në sezonin e kaluar të ngrohjes. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR