• e shtunë, 23 nëntor 2024

Fillon programi i ri IPARD 3 i dedikuar për modernizim të bujqësisë në vlerë prej 97 milionë euro

Fillon programi i ri IPARD 3 i dedikuar për modernizim të bujqësisë në vlerë prej 97 milionë euro

Shkup, 3 shtator 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski sot e shënuan fillimin e projektit të ti IPARD 3 për modernizim të bujqësisë në vlerë prej 97 milionë euro. 

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se qëllimi i këtij programi është realizim shumë më i madh dhe shfrytëzim i plotë i mjeteve të cilat BE-ja i ndan për shtetin. 

"Me programin e ri IPARD 3, synimi ynë është realizimi dhe shfrytëzimi edhe më i madh i mjeteve sesa 100 për qind e asaj që kemi marrë nga BE-ja dhe prandaj parashikojmë mundësi për paradhënie për të motivuar edhe më shumë bujqit tanë. Por qëllimi përfundimtar është që bujqit tanë, ekonomia jonë të përjetojnë progres, të përjetojnë zhvillim përmes realizimit të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, sepse hyrja në BE do të sjellë përfitime edhe më të mëdha dhe do të sjellë edhe më shumë burime financiare nga fondet e BE-së", tha Kovaçevski.

Ai shtoi se vetëm përmes programit IPA, deri më tani, në vend, për modenrizimin e infrastrukturës dhe zhvillim ishin investuar rreth një miliardë euro, ndërsa gjithashtu, vitin e kaluar BE-ja ka siguruar edhe 100 milionë euro ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut, 80 milionë euro për përballje me krizën energjetike dhe 160 milionë euro për përballje me krizën ekonomike. 

"Kjo mbështetje edhe më shumë rritet kur një vend bëhet anëtar i BE-së dhe vetëm për krahasim, ndihma të cilën e marrin nga fondet e BE-së vendet anëtare të Unionit nga rajoni është 11 herë më e madhe për kokë banori nga ajo të cilën e marrin vendet kandidate për BE", potencoi kryemnistri Kovaçevski. 

Për këtë, me mundësimin e qasjes në tregun e vetëm të BE-së prej 500 milionë njerëz, do të krijojmë motiv jo vetëm për bujqit tanë, për bizneset tona, por edhe për të rinjtë tanë këtu në Maqedoninë e Veriut që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre", theksoi Kovaçevski. 

Vlerësoi se përmes programit të mëparshëm IPARD 2 ishin lidhur 2.369 marrëveshje me bujq dhe me qytetarë të cilët kanë veprimtari të tjera shërbyese në lidhje me bujqësinë në shtetin tonë. 

"Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mori burime të shtuara financiare me programin IPARD 3 dhe është vendi i parë në rajon që do të fillojë ta përdorë atë. Përmes programit IPARD 2 kemi pasur në dispozicion 60 milionë euro, të cilat për shkak të shfrytëzimit më të madh, tani në programin IPARD 3 janë rritur në 97 milionë euro të reja, të pakthyeshme për modernizimin e bujqësisë vendore", deklaroi kryeministri.

Ministri Nikollovski informoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon i cili filloi me realizimin e një programi të tillë. Theksoi se me programin IPARD 3 fitohen mjete për agrosektorin në Maqedoninë e Veriut, të cilat nënkuptojnë investim në prodhimtarinë bujqësore moderne dhe konkurruese me standarde evropiane. 

"Me politikat e duhura, Maqedonia e Veriut është sot lider në rajon për sa i përket shfrytëzimit më të lartë prej 98 për qind të mjeteve nga programi IPARD 2. Duke mundësuar qasje në tregun e vetëm të BE-së prej 500 milionë banorësh, ne do të krijojmë një motiv të fortë jo vetëm për bujqit tanë, për sektorin bujqësor vendor, por edhe për të rinjtë tanë këtu, duke u ofruar atyre BE-në në shtëpi", theksoi ministri.

Thirrja për aplikime për programin i referohet sektorëve prioritarë për investime në qumësht dhe produkte qumështi, mish dhe produkte mishi, fruta dhe perime, drithëra, produkte mulliri dhe niseshte, produkte bimore, vajra dhe yndyrna shtazore, musht, verë dhe uthull. Prodhimi i mëtejshëm i energjisë nëpërmjet përpunimit të bimëve dhe produkteve shtazore nga biomasa parësore dhe dytësore, me përjashtim të biomasës nga produktet e peshkut.

Afati i fundit për parashtrimin e kërkesave është 18 shtatori i këtij viti. Investimet të cilat do të miratohen duhet të përfundojnë deri më 31 maj. Kërkesën për pagesë aplikuesit duhet ta dorëzojnë deri më 30 qershor. fc/

Fotografia: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR