• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fillon gjykimi kundër Merkos për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkolla, ai thotë se nuk ndihet fajtor

Fillon gjykimi kundër Merkos për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkolla, ai thotë se nuk ndihet fajtor

Strugë, 20 qershor 2024 (MIA) - Në Gjykatën Themelore në Strugë sot filloi seanca kryesore kundër kryetarit të komunës së Strugës Ramiz Merko për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në fshatrat Podgorcë, Labunishtë, Veleshtë dhe “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë.

Tre lëndët e emërimeve të paligjshme të drejtorëve, ku përfshihet vetëm Merko, gjykatësi Jordan Jovanov i bashkoi në një, ndërsa për shkollën në Veleshtë do të zhvillohet lëndë e veçantë ku përveç keqpërdorimit të detyrës zyrtare është kryer edhe vepra penale "falsifikim" ku akuzohen katër persona. Seanca për lëndën në Veleshtë është shtyrë. 

"Aktualisht për shkollën në Veleshtë zhvillohet lëndë e veçantë për shkak se aty janë katër të dyshuar, ndërsa për tri shkollat e tjera është duke u zhvilluar rast i përbashkët. Përveç veprës penale të punës së papërgjegjshme në shërbimin në Veleshtë, disa nga të pandehurit ndiqen edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Pra, në këtë lëndë ka dy vepra penale", deklaroi Jovanovi.

Merko nga ana tjetër tha se nuk ndihet fajtor për veprat që i m’vishen nga Prokuroria publike. Për emërimin e paligjshëm të drejtorëve, ai ka theksuar se e ka kuptuar se për çfarë akuzohet, por nuk ndihet fajtor për veprat penale, pasi siç tha, "ka bërë vazhdimësi në punën e shkollave fillore".

"Ne kemi prova dhe do të vërtetojmë se ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Gjykata do të vendosë sa do të dënohet, do ta shohim gjatë procedurës. Nëse nuk pajtohemi me aktgjykimin që do të nxjerrë gjykata, do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit në Manastir", tha prokurori publik, Xhemal Lloga. 

Adem Ajdaroski, i cili shërbeu tre mandate si ushtrues detyre në shkollën fillore "Goce Dellçev", në fshatin Podgorcë dha dëshmi në cilësinë e dëshmitarit. Ai tha se ka dhënë dorëheqje për arsye personale, por edhe me kërkesë të Komisionit antikorrupsion. Ajdaroski nuk i plotësonte kushtet për drejtor shkolle, sepse nuk ka pasur pesë vite përvojë pune dhe si ekonomist nuk ishte një nga të punësuarit.

Inspektorati shtetëror arsimor ka bërë mbikëqyrje në shkollën e Podgorcit dhe drejtorit i ka thënë se është emëruar në mënyrë të paligjshme, por nuk ka nisur procedurë.

Procesi gjyqësor ndaj Merkos për katër lëndët do të vazhdojë më 5 korrik. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR