• e premte, 05 dhjetor 2025

Fillon eko aksioni kombëtar "Pastrim i përgjithshëm javor"

Fillon eko aksioni kombëtar

Shkup, 9 maj 2025 (MIA) - Me pastrimin e rrethinës së Akuaduktit të Shkupit ku do të përfshihen 200 vullnetarë sot zyrtarisht fillon eko aksioni "Pastrim i përgjithshëm javor", ngjarja e vetme masive ekologjike, jo vetëm në vend, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në organizim të "Men end Maunten" në bashkëpunim me Birrarinë e Shkupit, Pakomak, Zero Mbeturina, Shparkase Banka, EVN Maqedoni, Makstil, Buçim Borov Dol, Saubermaher dhe Kostal, Aksioni është mbështetur edhe nga BNJVL, Kryqi i Kuq dhe Ministria e Mjedisit Jetësor.

Në kuadër të eko aksionit, qëllimi i së cilës është ngritja e ndërgjegjësimit për vlerën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, më 9, 10 dhe 11 maj mbi 20.000 vullnetarë do të pastrojnë në më shumë se 500 lokacione në të gjitha komunat duke përfshirë mbi 600 organizata, institucione dhe kompani, shoqata ekologjike, civile dhe sportive, organizata të pensionistëve, institucione publike, bashkësi lokale dhe urbane, kopshte, shkolla, fakultete, vullnetarë dhe parqe nacionale.

Në shënimin e fillimit të aksionit pritet të marrin pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, drejtoresha e sektorit për politika koorporative dhe qëndrueshmëri të Birrarisë Shkup, Snezhana Saviq Dimovska, ambasadori austriak Martin Pamer, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, sekretarja e Kryqit të Kuq, Suzana Tuneva Paunovska, si dhe anëtarë të ambasadave të pranishëm në vend, vullnetarë dhe disa personalitete publike.

Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për herë të parë "Pastrim i përgjithshëm javor" do të përfshihet edhe në projektin edukativ "Ora ekologjike" që sot do të zbatohet në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Nxënësit nga të gjitha shkollat në mbarë vendin sot do ta kenë për detyrë së bashku me mësimdhënësit dhe profesorët t'i pastrojnë shkollat. Nesër nxënësit së bashku me familjet e tyre do t'i pastrojnë shtëpitë dhe hapësirën rreth vendbanimit të tyre, ndërsa të dielën me familjet do t'i pastrojnë parqet dhe vendet për piknik në rrethinën e tyre. Detyra e tyre është ta foto-dokumentojnë pastrimin dhe në orën e parë të shkollës t'i paraqesin rezultatet.

Me këtë rast, sot, nxënësit e Shkollës Fillore "Lazo Angellovski" nga lagjja Novo Lisiçe e Shkupit do të zhvillojnë aktivitete praktike për mbrojtjen e mjedisit në prani të përfaqësueses së UNICEF-it, Lesli Miler, drejtoreshës së Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Milka Trimçevska dhe kryetarit të Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.

Në prag të eko aksionit, presidentja Gordana Siljanovska Davkova u shpreh me një video-mesazh, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në aksion.

"Ne e kemi ndërprerë miqësinë tonë me planetin, i injorojmë paralajmërimet shqetësuese të natyrës dhe nuk duam të përballemi me krizën e rëndë ekologjike. Ne flasim vazhdimisht për politika të gjelbra, por jetojmë në një realitet gri-të zi me ajër vdekjeprurës, liqene dhe lumenj të ndotur, pyje të shkatërruara dhe tokë të kontaminuar. Natyra nuk mund të jetë viktimë e agresionit për qëllime fitimi. Është koha e duhur të vrapojmë një maratonë drejt një mjedisi më të shëndetshëm dhe të bëjmë një armëpushim me natyrën", thotë Siljanovska Davkova në videomesazhin.

Nëse duam një të ardhme të shëndetshme, shton ajo, duhet të bashkohemi të gjithë më 9, 10 dhe 11 maj në aksionin më të madh mjedisor "Pastrimi i përgjithshëm javor", si provë e përgjegjësisë kombëtare dhe ndërgjegjësimit mjedisor.

Bazuar në memorandumin 10-vjeçar që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Pyjet Kombëtare lidhën me "Men end Maunten", çdo vit pas përfundimit të eko-aksionit "Pastrim i përgjithshëm javor" në nëntor, zhvillohet pjesa e dytë e aksionit e quajtur "Mali me Diell", që përfshin pyllëzimin e tokës shtetërore. sa/

Foto: "Men end Maunten" dhe printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR