Filloi takimi i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni
- Integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve janë në fokus të takimit vjetor të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, i cili filloi mëngjesin e sotëm në Shkup.
- Post By Sara Ademi
- 12:23, 11 shtator, 2023
Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) - Integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve janë në fokus të takimit vjetor të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, i cili filloi mëngjesin e sotëm në Shkup.
Në takim, përveç nikoqirit Stevo Pendarovski, marrin pjesë edhe presidenti kroat Zoran Milanoviq dhe presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar në rolin e bashkënikoqirëve, si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti shqiptar Bajram Begaj, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq dhe anëtarët e presidencës së BeH-së Zelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq.

Para fillimit zyrtar të takimit, Pendarovski zhvilloi takime dypalëshe me presidenten e Kosovës Osmani dhe atë të Shqipërisë Begaj.
Është duke u zhvilluar mbledhja plenare e liderëve pjesëmarrës në procesin Bërdo- Brioni, pas së cilës do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e Pendarovskit, Pirc Musarit dhe Milanoviqit.
Para takimit, Milanoviq, siç raportojnë një pjesë e mediave, ka thënë se shpreson që takimi në Shkup të mos përfundojë si dy të mëparshmet në një “zënkë mes instrumenteve të rreshtuara” dhe thyerjen e shtizave gjatë miratimit të deklaratës përfundimtare.
Në samitin e vitit të kaluar, deklarata përfundimtare nuk u miratua sepse presidenti kroat kërkoi që në dokument të përmendet kushtetuta e tre kombeve në Bosnja e Hercegovinë, për të cilën nuk u pajtuan dy anëtarë të Presidencës së saj.

Një vit më parë, pjesëmarrësit pranuan vetëm një tekst kompromisi të deklaratës përfundimtare për shkak të debateve mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe liderit serb, Aleksandar Vuçiq.
Procesi Bërdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Bërdo të Kranjës.
Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Udhëheqësit e vendeve të Procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit. Në takimin e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, që po mbahet në hotelin “Hillton” në Shkup, janë të pranishëm rreth njëqind përfaqësues të mediave, nga vendi ynë dhe nga vendet e huaja. sa/
Foto: MIA