Filloi seanca për ndryshimet kushtetuese, është përcaktuar rendi i ditës
- Kuvendi me 70 vota "për", 47 "kundër" dhe pa asnjë "abstenim" e miratoi rendin e ditës të seancës së 123-të, e cila ka vetëm një pikë – Propozimin për qasje ndaj ndryshimit të Kushtetutës që parashikohet futja e bullgarëve dhe pesë bashkësive të tjera etnike në preambulën e Kushtetutës.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:52, 18 gusht, 2023
Shkup, 18 gusht 2023 (MIA) - Kuvendi me 70 vota "për", 47 "kundër" dhe pa asnjë "abstenim" e miratoi rendin e ditës të seancës së 123-të, e cila ka vetëm një pikë – Propozimin për qasje ndaj ndryshimit të Kushtetutës që parashikohet futja e bullgarëve dhe pesë bashkësive të tjera etnike në preambulën e Kushtetutës.
Pas miratimit të rendit të ditës, duhet të fillojë debati për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për miratimin e të cilit nevojitet të votojnë minimum 80 deputetë. Kjo është faza e parë nga gjithësej tre të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës.
Për momentin para deputetëve fjalim po mban kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese zgjat më së shumti dhjetë ditë pune dhe nëse është kështu duhet të përfundojë më 31 gusht. Një deputet gjatë debatit mund të flasë disa herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në debat mund të flasë disa herë po, jo më shumë se 30 minuta gjithsej.
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që vendi të mbajë seancën e dytë ndërqeveritare dhe t'i vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotëfuqishëm në Union. qa/ar/
Foto: Printskrin