• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filloi përpilimi i Strategjisë kombëtare të TIK-ut - dokument për transformimin digjital në shtet sipas të cilit do të maten progresi dhe arritjet

Filloi përpilimi i Strategjisë kombëtare të TIK-ut - dokument për transformimin digjital në shtet sipas të cilit do të maten progresi dhe arritjet

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Grupi punues sot filloi përpilimin e Strategjisë kombëtare për zhvillim informatikë dhe të komunikimit dhe telekomunikimit. Kjo strategji do të jetë themeli dhe plani sistemor që do të udhëheqë digjitalizimin e shtetit, ndërsa pritet versioni i saj final të jetë gati për miratim në gjysmën e parë të vitit 2025.

Elementet themelore të Strategjisë Kombëtare të TIK janë katër shtyllat - zhvillimi i infrastrukturës digjitale, avancimi i shkathtësive digjitale të qytetarëve tanë, modernizimi i shërbimeve publike dhe mbështetje të transformimit digjital të bizneseve, inovacioneve dhe sipërmarrësisë. Qëllimi është të krijohet ekosistem i plotë digjital.

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili është gjithashtu kryetar i Këshillit kombëtar për transformim digjital, sot në konferencën për media informoi se e kanë mbajtur takimin e parë të grupit punues sektorial për përpilimin e Strategjisë Kombëtare të TIK-ut.

Siç sqaroi ai, Strategjia kombëtare e TIK-ut është dokumenti kryesor që do të udhëheqë të gjitha përpjekjet dhe aktivitetet e tyre në drejtim të transformimit digjital, sipas të cilit do të matet përparimi dhe arritjet në këtë fushë.

"Është e domosdoshme të ecim me të njëjtin ritëm në një botë që po përparon me shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa qasja në teknologjitë digjitale dhe sjellja e tyre në funksion dhe interes të njeriut dhe përdorimi i duhur i tyre hap horizonte dhe perspektiva të reja për të gjithë. Është e rëndësishme të kuptohet se digjitalizimi nuk është një punë monolite, por përfshin një sërë hapash komplekse, të ndërlidhura dhe komplementare. Për të ecur në rrugën e vërtetë, është e rëndësishme të dimë se nga po vijmë, si dhe ku po shkojmë. Një qasje e kujdesshme, gjithëpërfshirëse, profesionale dhe e strukturuar është parakushti kryesor për transformimin digjital dhe si rrjedhojë, zhvillim shoqëror në përputhje me rrjedhat botërore", tha Mickoski.

Ai shtoi se transformimi digjital do të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe përparësia kryesore do të jetë ofrimi i shërbimeve të arritshme dhe efikase për të luftuar korrupsionin përmes shfrytëzimit të digjitalizimit.

"Sot fillojmë punën e Grupit punues për miratimin e Strategjisë kombëtare, e cila është një nga aktivitetet e para të Këshillit kombëtar për transformim digjhital, kryesues i të cilit jam unë. Kjo tregon angazhimin e Qeverisë për transformimin digjital të shoqërisë. Qasja jonë është e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme. Mendojmë dhe veprojmë në mënyrë afatgjatë, të planifikuar dhe sistemore, nuk veprojmë ad hok, në bashkëpunim me bashkësinë profesionale, shkencore, sektorin civil dhe atë të biznesit, si dhe me odat. Në këtë drejtim është edhe puna e këtij Grupi punues", tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, digjitalizimi është mjet kryesor në luftën kundër korrupsionit, pasi automatizimi i proceseve ndihmon në uljen e ndikimit të jashtëm dhe subjektivitetit. 

Ministri  i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi sot në konferencën për media se deri më tani shteti nuk i ka shfrytëzuar plotësisht mundësitë  e teknologjive informatike të komunikimit.

"Kjo ka rezultuar në ngecje prapa vendeve anëtare të BE-së në sferën digjitale. Por kjo është arsyeja pse kjo strategji është thelbësore. Do të jetë udhërrëfyesi ynë për tejkalimin e këtij hendeku. Fatkeqësisht, shteti u la për shtatë vjet pa Strategji kombëtare për një sektor që ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm dhe që duhet të jetë bazë për përparimin ekonomik të shtetit. Strategjia e re kombëtare e TIK-ut do të jetë themeli dhe plani sistemor që do të udhëheqë digjitalizimin e Maqedonisë", tha Andonovski.

Ai sqaroi se qëllimi është të mbajmë ritmin me BE-në, duke ndjekur udhëzimet nga dekada digjitale e Evropës deri në vitin 2030.

"Jemi ambiciozë, por edhe realistë. Ne e dimë se përballemi me sfida të shumta që nga nevoja për infrastrukturë digjitale, deri te përmirësimi i shkathtësive digjitale të qytetarëve, deri te mundësimi i shërbimeve digjitale elektronike për çdo qytetar. Procesi i përpilimit të strategjisë do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent", shtoi Andonovski.

Siç informoi, sot më shumë se 50 përfaqësues të dhjetëra institucioneve, odave ekonomike, universiteteve dhe OJQ-ve janë përfshirë tashmë në grupin e punës.

Ai ftoi të gjithë, nga ekspertët e institucioneve shtetërore deri te mendjet krijuese në bashkësinë star ap, nga profesorët te aktivistët civilë, të bashkohen dhe të kontribuojnë.

Elementet themelore të Strategjisë kombëtare të TIK janë katër shtyllat - zhvillimi i infrastrukturës digjitale, avancimi i shkathtësive digjitale të qytetarëve tanë, modernizimi i shërbimeve publike dhe mbështetje të transformimit digjital të bizneseve, inovacioneve dhe sipërmarrësisë. 

"E gjithë kjo ka një qëllim - të krijojë ekosistem të plotë digjital që do të sjellë përfitime për çdo qytetar. Kjo strategji do të përcaktojë grup specifik masash, afate të sakta, bartës të qartë të aktiviteteve dhe, më e rëndësishmja, rezultate të matshme. Në muajt e ardhshëm, do të formojmë nëngrupe për shtyllat e ndryshme dhe do të hapim kanale për mbledhjen e ideve nga të gjithë palët e interesuara. Qëllimi është që të kemi version përfundimtar të Strategjisë kombëtare të TIK-ut gati për miratim në gjysmën e parë të vitit 2025", tha Andonovski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, ai theksoi se Strategjia kombëtare e TIK duhet të përcaktojë zgjidhjet për problemet që ekzistojnë në shtet.

"Së pari, duhet të shohim se cila është struktura jonë e TIK, për ta ndërtuar nëse nuk është e mjaftueshme, për ta përmirësuar nëse e kemi, pastaj për të parë shkathtësitë digjitale të qytetarëve dhe administratës për ta përdorur atë infrastrukturë të TIK, për t'u ofruar shërbime qytetarëve përmes mjeteve elektronike dhe më pas për të ndihmuar bizneset të digjitalizohen përmes inovacioneve dhe sipërmarrësisë dhe ndërtimit të teknologjive të reja. Qëllimi është që të gjitha 1.100 institucionet në shtet të lidhen dhe të komunikojnë përmes asaj platforme për interoperabilitet", shtoi Andonovski.

Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut 

QËNDRONI TË LIDHUR