• e martë, 24 dhjetor 2024

Filloi festivali ndërkombëtar folklorik "Rudina Fest"

Filloi festivali ndërkombëtar folklorik

 Gostivar, 21 korrik 2024 (MIA) - Me defile të pjesëmarrësve nëpër fshatin Çegran të Gostivarit,  mbrëmë u shënua  fillimi i edicionit të katërt i festivalit folklorik ndërkombëtar "Rudina Fest".  Këtë vit në katër lokacione në Pollog do të prezantohen një pjesë e traditave folklorike të: Shqipërisë, Bullgarisë, Italisë, Kosovës, Kolumbisë, Maqedonisë, Turqisë, Panamasë.

Organizatorët dhe nikoqirët e festivalit, SHKA "Jahi Hasani" nga Çegrani për sivjet parashikuan që  festivalin ta shohin më shumë qytetarë. 

 

"Tradicionalisht me paraqitje revyale, festivali hapet  në Çegran. Këtë vit, një mbrëmje do të kemi edhe në Tetovën fqinje. Aty, sonte  grupet folklorike do t'i performojnë pikat e tyre, ndërsa nesër dhe pasnesër programi do të prezantohet edhe  para publikut të Gostivarit", tha Zani Mehmedi, kryetar i SHKA-së "Jahi Hasani" dhe drejtor i festivalit.

Njeriu i parë i komunës së Gostivarit në fjalimin e tij para publikut dhe pjesëmarrësve, theksoi se kjo ngjarje e vendos Gostivarin në hartën ndërkombëtare të festivaleve, ku përveç atyre vendore performojnë ansamble të njohura nga shtete të tjera. 

 "Vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj aktiviteteve kryesore kulturore dhe mbështetjes së ngjarjeve që përmirësojnë ofertën kulturore në komunë dhe e bëjnë më të këndshëm qëndrimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje", tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani

 

Festivali i cili ka filluar mbrëmë, do të zgjasë deri më 23 korrik, kur është caktuar edhe ndarja e çmimeve për më të suksesshmit dhe mbyllja e edicionit të sivjetmë. Manifestimi mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Gostivarit.

Foto: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR