Filloi debati parlamentar për Propozim - buxhetin për vitin 2025
- Kuvendi në kuadër të seancës plenare të 22-të sot ka filluar debatin pesëditor për Propozim-buxhetin për vitin 2025.
- Post By Fami Bajrami
- 13:41, 10 dhjetor, 2024
Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Kuvendi në kuadër të seancës plenare të 22-të sot ka filluar debatin pesëditor për Propozim-buxhetin për vitin 2025.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, në seancë deputeti gjatë debatit mund të flasë më shumë herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i Qeverisë mund të flasë më shumë herë, por jo më shumë se 30 minuta.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska para deputetëve theksoi se viti i ardhshëm do të jetë vit i investimeve.
Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor, ndërkaq me shumë absolute prej 41.350 milionë denarëve apo 4 për qind nga BPV-ja.
Inflacioni pritet të ulet në 2,2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve themelore ushqimore dhe të energjensëve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të matur nga inflacioni bazik. Për eksportin projeksione për rritje prej 4,2 për qind, ndërsa për importin prej 4,4 për qind.
Për investime kapitale janë planifikuar 50,5 miliardë denarë, si dhe 349,6 miliardë denarë për shpenzime rrjedhëse, si pagesa të rrogave, për pensione, të drejta sociale, subvencione në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe për ekonominë...
Shpenzimet për rroga janë në nivel prej 48,1 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime 26,2 miliardë denarë me ulje prej 0,5 për qind në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme. Për pagesë të pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë me të cilat sigurohen mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve për 2.500 denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Për kompensime të mbrojtjes sociale rreth 14,5 miliardë denarë, për kompensim në të holla në rast të papunësisë 1,6 miliardë denarë, ndërsa për zbatim të politikave dhe masave aktive për punësim 2,3 miliardë denarë. Më shumë mjete janë siguruar për mbrojtje shëndetësore, përkatësisht 52,5 miliardë denarë apo për 10,7 për qind më shumë. Mbështetja në bujqësi është planifikuar në nivel prej 8 miliardë denarëve, përderisa transferet drejt njësive për vetëqeverisje lokale në nivel prej 33,2 miliardë denarëve apo për 2,5 miliardë denarë më shumë.
Më herët, deputetët kanë marrë vendime për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe vendimin për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit të Prokurorëve publikë. Gjithashtu është votuar nevoja për miratimin e disa ligjeve mes të cilëve ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për fëmijët, Ligjin për furnizime publike, Propozim ligjin për zbatimin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 dhe Propozim ligjin për Sistemin e kontrollit të brendshëm financiar në sektorin publik me procedurë të shkurtuar. rq/
Foto: printskrin