• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filloi debati i Komisionit për Propozim - ligjin për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore

Filloi debati i Komisionit për Propozim - ligjin për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore

Shkup, 7 qershor 2024 (MIA) - Në seancën e Komisionit të Kuvendit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, sonte filloi diskutimi për propozim ligjin për riorganizim të organeve të administratës shtetërore, më procedurë të shkurtuar. Seanca është ndërprerë për gjysëm ore me kërkesë të deputetëve të LSDM-së, për shkak të mosmarrëveshjes rreth kohëzgjatjes për fjalimet e deputetëve, sipas Rregullores së re të Kuvendit.

Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër dhe deputet i LSDM-së, ka diskutuar për Propozim ligjin, duke parashtruar një sërë kritikash, mes të cilave edhe atë se ai miratohet pa analiza dhe debate të duhura, si dhe pa sqaruar se si do të ndryshojë jetën e qytetarëve. Sipas tij, numri i ministrive dhe autoriteteve tjera është në rritje dhe në këtë mënyrë administrata do të bëhet më e madhe dhe akoma më joefikase. Akuzoi për mungesë të inkluzivitetit për shkak të faktit se ligji ka vetëm një propozues dhe në një situatë ku për miratimin e ligjit nevojitet shumicë prej dy të tretave. Rezultatet zgjedhore, sipas Bytyqit, nuk janë garanci e përhershme për legalitet.

Kryetari i Komisionit, Ljupço Prenxhov i ka bërë vërejtje Bytyqit se e ka kaluar kohën e fjalimit, pas çka reagoi Sllavjanka Petrovska gjithashtu nga LSDM-ja dhe kërkoi të citohet një nen nga Rregullorja e re, lidhur me kohëzgjatjen e diskutimeve të deputetëve. Në cilësinë e zëvendëskoordinatorit, Bytyqi kërkoi pushim prej gjysmë ore, për çka Prenxhov u pajtua, por kërkoi edhe një koordinim të shkurtër për të tejkaluar mosmarrëveshjet.

Vërejtje procedurale ka dhënë edhe koordinatori i Grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, i cili tha se do të punojnë derisa të miratohet Propozim ligji dhe të realizohet ajo që qytetarët kanë kërkuar nga ata.

Kryetari i Komisionit, Prenxhov në fillim të seancës informoi se për Propozim-ligjin është parashtruar amendament nga E Majta, i cili është refuzuar si jo i rregullt.

Sot paraprakisht, Kuvendi ka votuar nevojën për miratimin e Porpozim ligjit për riorganizim të organeve të administratës shtetërore, që paraqet hyrje në formimin e Qeverisë së re, midis VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM. rq/bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR