• e premte, 08 nëntor 2024

Filkov tërheq vendimin e qeverisë së mëparshme për rritje të dhjetëfishtë të tarifës së noterit

Filkov tërheq vendimin e qeverisë së mëparshme për rritje të dhjetëfishtë të tarifës së noterit

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e tërheq vendimin për dhënien e pëlqimit për rritje të dhjetëfishtë të tarifës së noterit, të cilin e kishte sjellë paraardhësi i tij Krenar Lloga para se të largohej nga detyra, informoii sot në konferencë për shtyp pas brifingut me gazetarët.

Filkov inicoi procedurë në Qeveri për anulimin e pëlqimit të dhënë për tarifën, e cila do të jetë bazë për moszbatimin e vendimit të miratuar. Sipas Folkovit, paraardhësi i tij përmes një procesi të fshehtë pa e informuar opinionin ka nënshkruar një vendim me të cilin nga 1 shtatori shërbimet noteriale do të kenë rritje të dhjetëfishtë, por siç tha, kjo nuk do të ndodhë.

Një vendim i tillë, shtoi ai, është marrë në muajin shkurt, por sipas tij, kanë pritur që të kalojnë zgjedhjet, pas së cilës më 5 qershor qeveria teknike ka miratuar dhe më 11 qershor tarifat e reja janë publikuar në “Gazetën Zyrtare".

"Për këtë askush nuk e ka informuar opinionin as me kumtesa zyrtare, as përmes konferencës për shtyp, pra procesi ka qenë i fshehur. Çmimet e reja supozohet se do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori dhe kjo nuk do të ndodhë. Për ndryshimin e çmimit në çdo bazë duhet të ketë një analizë serioze. Duhet të ketë qenë e përcaktuar nevoja për një rritje serioze siç e parashikoi ish-ministri, i cili për arsye të pakuptueshme shtyu një axhendë për rritjen e çmimit. Pas tërheqjes së vendimit, kam ndërmend të hap debat dhe të diskutojmë se çfarë mund të bëhet, me qëllim që të mos dëmtohen qytetarët e as noterë"t, tha Filkov.

Ai thotë se pas marrjes së detyrës, me mbështetjen e deputetëve, ka iniciuar një analizë nga Instituti Parlamentar, ku do të merren parasysh argumentet e tyre, por edhe të noterëve.

Lidhur me reformat në Këshillin Gjyqësor, Filkov tha se është i gatshëm të hapë një debat të gjerë, si dhe se është në anën e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Në brifing me gazetarët para fillimit të konferencës për shtyp, Filkov tha se Ministria tashmë është duke punuar për ndryshime dhe plotësime në Kodin Penal, me të cilat do të hiqen pasojat e, siç tha, ndryshimeve të bëra qëllimisht në Kodin Penal në vitin 2023.

I pyetur për emrat e grupit punues që bën ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, ministri tha se nuk është i gatshëm t'i thotë për momentin, pasi aktualisht është duke u punuar për ndryshime të atij organi. ls/ 

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR