• e hënë, 10 mars 2025

Filipçe: Qeveria të tregojë se për ç'farë janë harxhuar paratë e kredisë hungareze

Filipçe: Qeveria të tregojë se për ç'farë janë harxhuar paratë e kredisë hungareze

Shkup, 26 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe sot në konferencën për media kërkoi përgjigje nga Qeveria nëse paratë e kredisë hungareze janë harxhuar ose harxhohen për ndonjë qëllim tjetër.

Filipçe tha se te ata mbërrijnë informata edhe nga shumë banka dhe kompani. Informatat e bankave, sipas Filipçes janë se tani nuk mund të pranohen aplikime të kompanive për paratë e kredisë hungareze, sepse Qeveria nuk do të mund t'ua paguajë paratë si dhe numri i apkimeve është plotësisht i vogël.

"Kompanitë e Maqedonisë është dashur të marrin mbështetje financiare nga kredia hungareze, por deri më tani nuk ka të dhëna për shpërndarjen dhe zbatimin e tij vërtetë efikas. Ne po marrim informacione për të cilat mendojmë se duhet të përgjigjet Qeveria, e cila është se paratë që janë dedikuar për kompanitë nga kredia hungareze praktikisht janë shpenzuar për një qëllim tjetër", tha Filipçe në një konferencë për media në selinë e partisë.

Sipas tij, prandaj është ndryshuar Ligji për punën e bankave dhe për herë të parë Bankës për Zhvillim të Maqedonisë i lejohet të marrë hua direkte nga buxheti dhe jo nga institucionet financiare ndërkombëtare siç ishte deri më tani.

"Kjo do të thotë se të gjitha kompanitë që aplikojnë për një kredi me normë kaq të ulët të interesit do të kërkojnë para, gjegjësisht Qeveria do të kërkojë t'i plotësojë nevojat direkte nga buxheti dhe ndoshta nga burime të tjera dhe jo nga kredia hungareze që është dashur të dedikohet për këtë qëllim. E pyes Qeverinë nëse paratë nga kredia hungareze janë shpenzuar vërtet apo po shpenzohen për ndonjë qëllim tjetër. Që paratë që duhet të arrijnë te kompanitë përmes BMM-së duhet të vijnë direkt nga buxheti dhe burimet tjera, e jo nga kredia hungareze dhe nëse ato banka komerciale që tani po japin para për kompanitë me ritëm dhe dinamikë të reduktuar duhet të subvencionohen nga Qeveria sërish nga një burim tjetër, e jo nga kredia hungareze", tha Filipçe.

Ai akuzoi Qeverinë se e ka shkatërruar atë dhe nuk kujdeset, as për ekonominë as për standardin e qytetarëve, ndërsa nuk ka vullnet të pranojë ndonjë propozim ligjor të cilat vijnë nga opozita me qëllim që të lehtësohet jeta e qytetarëve. Sipas tij, gjendja është përfundimisht serioze dhe LSDM do të vazhdojë të propozojë ndryshime ligjore.

Sipas kryetarit të LSDM-së, ekonomia e Maqedonisë lëviz në drejtim të gabuar dhe në vend të progresit kriza po thellohet.

"Në dy muajt e parë të vitit 2025 realizimi i investimeve kapitale është vetëm 2.43 për qind. Në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar janë realizuar 12,1 për qind. Investimet në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik tërësisht janë ndërprerë, pa investime kapitale nuk ka rritje ekonomike, Qeveria është e dukshme se nuk ka kapacitet të plotësojë asnjë nga premtimet për modernizim dhe zhvillim edhe pse ishin premtimet e tyre kryesore përveç tjerave", tha Filipçe.

Shpenzimet për jetë në janar të vitit 2025 janë rritur për 4.9 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur për 5,2 për qind. Shporta konsumatore në shkurt të vitit 2025 arrin 63.773 denarë, për të mbijetuar një familje nevojiten tre paga minimale, ndërsa siç thotë, në kohën e Qeverisë së LSDM-së dy paga minimale. Filipçe tha se pagat stagnojnë, rritja e pagës minimale është nën pikëpyetje, sepse praktikisht funksionimi i KSE-së është bllokuar.

"Punëtorët dhe sindikata kërkojnë pagë minimale prej 450 deri në 500 euro, por Qeveria hesht. Dialogu social në atë kuptim tërësisht është shkatërruar. Punëtorët janë lënë vetëm pa siguri, ndërsa pasiguria ekonomike bëhet gjithnjë e më e madhe", tha Filipçe.

LSDM, siç njoftoi, do të propozojë rritje të pagave edhe në sektorin privat, ndërsa një pjesë të shpenzimeve do t'i mbulojë Qeveria. "Shpresoj se Qeveria këtë ligj do ta pranojë për dallim nga gjithë të tjerat të cilat i refuzoi edhe për pagën minimale dhe mesatare dhe për uljen e TVSH-së të produkteve ushqimore bazë dhe për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike", tha ai.

Ai vazhdoi se prodhimtaria industriale po bie tashmë katër muaj dhe kjo është një tregues i qartë se në dhjetor të vitit 2024 rënia arrin 1,4 për qind, në nëntor 3.5, tetor 1.1, ndërsa në shtator 7.9 për qind. Në dy muajt e parë të vitit 2025, thotë Filipçe, deficiti buxhetor arrin 7,8 miliardë denarë rekord.

"Shteti po shpenzon shumë më tepër se sa po mbledh para dhe po krijohet një hendek vërtet i rrezikshëm mes të ardhurave dhe shpenzimeve, të cilat do të duhet të mbulohen me borxhe të reja, me huamarrje të reja. Në atë kontekst, është logjike që edhe borxhi publik po rritet dhe tani është mbi 70 për qind të PBB-së, Qeveria po i shmanget publikimit të shifrave të sakta, numëruesi nuk funksionon, po ashtu hesht edhe Ministria e Financave", tha kryetari i LSDM-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR