Filipçe: Këto zgjedhje janë udhërrëfyes për të ardhmen e LSDM-së, nuk mendoj për dorëheqje
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 i përgëzoi qytetarët për votën e tyre dinjitoze. Ai tha se përveç tre vendeve për kryetarë të komunave të fituara në raundin e parë, LSDM fitoi edhe në tre komuna në raundin e dytë - Qendër, Makedonska Kamenicë dhe Zërnovc dhe shprehu shpresë për disa komuna të tjera ku diferenca në vota është e vogël. Njëherësh ai paralajmëroi ndryshime politike dhe kadrovike në LSDM.
- Post By Fami Bajrami
- 22:10, 2 nëntor, 2025
Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 i përgëzoi qytetarët për votën e tyre dinjitoze. Ai tha se përveç tre vendeve për kryetarë të komunave të fituara në raundin e parë, LSDM fitoi edhe në tre komuna në raundin e dytë - Qendër, Makedonska Kamenicë dhe Zërnovc dhe shprehu shpresë për disa komuna të tjera ku diferenca në vota është e vogël. Njëherësh ai paralajmëroi ndryshime politike dhe kadrovike në LSDM.
Filipçe i përgëzoi të gjithë kryetarët e sapozgjedhur të komunave, por kritikoi, siç tha ai, "qeverinë desktruktive të VMRO-DPMNE-së" duke e akuzuar për presion mbi kandidatët dhe abuzim me institucionet.
"Gjatë dy javëve të fundit është ushtruar presion i madh mbi të gjithë kandidatët nga 17 komunat ku hymë në raundin e dytë. Nuk u zgjodhën mjete ose metoda dhe kjo vetëm tregon se po përballemi me të njëjtën qeveri destruktive të VMRO-DPMNE-së si në të kaluarën e cila abuzon me të gjitha institucionet nën kontrollin e saj", tha ai në konferencën e sontme për shtyp.
Sipas rezultateve zgjedhore të listave të këshilltarëve, Filipçe informoi se LSDM është partia e dytë në vend dhe e para në bllokun opozitar.
"Kjo është një nxitje për të vazhduar të luftojmë fuqishëm kundër kësaj Qeverie e cila nuk do të ketë më kurrë një mbështetje të tillë si në zgjedhjet e vitit të kaluar", tha ai.
Kryetari i LSDM-së theksoi se këto zgjedhje, siç tha ai, janë një udhërrëfyes i qartë për LSDM-në dhe për të si kryetar.
"Është e qartë se çfarë ndryshimesh politike dhe kadrovike duhen bërë dhe ato do të ndodhin ditët në vijim, do të ketë mbledhje të Këshillit ekzekutiv dhe Këshillit qendror në të cilat do t'i shpall ato ndryshime. Sigurisht, do të planifikojmë edhe kongres ku do të diskutohen politikat për periudhën e ardhshme", tha Filipçe, duke shtuar se nuk shqyrton dorëheqjen, sepse në detyrë është për një kohë të shkurtër.
Ai konfirmoi se nënkryetarja Ana Çupeska ka dhënë dorëheqje, ndërsa në lidhje me pyetjen nëse janë paralajmëruar dorëheqje të tjera, tha se opinioni së shpejti do të informohet për vendimet plotësuese kadrovike.
Foto: MIA