• e premte, 05 dhjetor 2025

Filipçe: Deri në fund të vitit vrima buxhetore do të jetë 1.4 miliard euro

Filipçe: Deri në fund të vitit vrima buxhetore do të jetë 1.4 miliard euro

Shkup, 15 tetor 2025 (MIA) - Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencën për shtyp duke folur për treguesit ekonomik, deklaroi se gjendja me buxhetin është alarmante dhe se deri në fund të vitit 2025 sipas të dhënave statistikore në buxhet do të mungojnë 1.4 miliar euro. 

"Ndodhemi vetëm 75 ditë para përfundimit të vitit 2025, ndërsa kuadri buxhetor, i cili përcaktohet nga të ardhurat dhe shpenzimet në buxhet, paraqet një situatë shqetësuese. Deri më sot, të ardhurat janë realizuar me 70,78 për qind ose 256.5 miliardë denarë. Në të njëjtën kohë, shpenzimet janë në nivel prej 72,82 për qind, që është pothuajse 294 miliardë denarë. Kjo do të thotë se, me këtë ritëm, dhe kjo është e pritshme, në fund të vitit do të mungojnë rreth 1.4 miliardë euro për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Kjo është një vrimë frapante buxhetore. Kjo do të thotë që gjithë këto para do të duhet të mbulohen me huamarrje, me ngarkesa të reja për bizneset dhe qytetarët, ose me shkurtime në shërbimet publike më të rëndësishme. E pyes qeverinë: çfarë planifikon të bëjë dhe si do t’i mbulojë këto 1.4 miliardë euro?", tha Filipçe.

Sipas tij, gjendja ekonomike në vend është alarmante, për shkak që, siç tha, ndjenë detyrim dhe shqetësim ta bëjë publike të vërtetën para qytetarëve, përkundër mesazheve për "suksese" ekonomike që pushteti i flet gjatë mitingjeve. 

"Gjatë kohës kur kryeministri Mickoski nga mitingu në miting flet për "suksese" ekonomike, detyra ime është të flas për realitetin dhe t’i informoj qytetarët për gjendjen e vërtetë ekonomike. Gjatë 15 muajve të fundit kemi alarmuar vazhdimisht se ekonomia dhe politikat ekonomike të kësaj qeverie janë shumë të gabuara, ndërsa realizimi i projekteve është historikisht më i dobëti. Sot, ato që i kemi thënë i vërtetojmë me tregues realë ekonomikë, fakte dhe shifra. Këto të dhëna tregojnë për një gjendje alarmante në lidhje me buxhetin, të ardhurat, investimet dhe realizimin e investimeve kapitale, si treguesit kryesorë të gjendjes ekonomike në vend",  tha Filipçe në konferencën e sotme për shtyp.

Ai shton se Këshilli fiskal paralajmëron afër 700 milionë euro detyrime të papaguara, duke shtuar se ky është një borxh i fshehur që shkatërron drejtpërdrejt likuiditetin e kompanive të vendit.

Ai u ndal edhe te inflacioni, duke thënë se inflacioni real vjetor është rreth katër për qind.

“Dhe kjo ndihet çdo ditë, kemi jetën më të shtrenjtë nga të gjitha vendet e rajonit. Prandaj, sot këtu, para jush, bëj pyetjen më të thjeshtë, por më të rëndësishme për këtë qeveri: ku është plani? Si planifikon Qeveria të mbulojë vrimën buxhetore prej 1.4 miliardë euro deri në fund të vitit? Ku janë projektet kapitale që u paralajmëruan? Ku është strategjia për mbledhjen e të ardhurave, për stabilitetin, për investimet?”, pyeti Filipçe. qa/

Foto: LSDM

QËNDRONI TË LIDHUR