• e hënë, 23 dhjetor 2024

Figura e Sadamit u zhduk nga Bagdadi, ndërsa dy dekada më parë ai ishte kudo

Figura e Sadamit u zhduk nga Bagdadi, ndërsa dy dekada më parë ai ishte kudo

10 prill 2023

Asoshieted Pres

Nga historitë e panumërta për jetën e tij si berber në Irak, Kais al-Shara-s dëshiron më shumë të flasë për 9 prillin e vitit 2003, kur ai pa teksa irakianët dhe marinsat amerikanë së bashku rrëzonin një statujë të Sadam Huseinit jashtë berberanës së tij në sheshin Firdos të Bagdadit.

Statuja 12 metra e gjatë e diktatorit irakian që zgjat dorën e djathtë u ngrit vetëm një vit më parë për të festuar ditëlindjen e tij të 65-të.

Rrëzimi  i monumentit ishte një moment simbolik i pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja; Pamjet televizive të marinsave që lidhin statujën me një automjet për ta rrëzuar atë, janë bërë simbol i fundit të sundimit 25-vjeçar të Sadamit. Por në fakt, statuja në sheshin Firdos ishte vetëm një pjesë e vogël e numrit të madh të monumenteve dhe pallateve që Sadami ngriti për të demonstruar fuqinë e tij.

Të gjitha statujat dhe pikturat e tij janë zhdukur prej kohësh. Shumë prej pallateve dhe ndërtesave të tij gjetën përdorime të reja në Irakun e ri. Por shumica e shpresës që erdhi me fshirjen e prezencës vizuale shtypëse të Sadamit është zhdukur gjithashtu, së pari u dogj nga dhuna brutale e viteve dhe më pas u shkatërrua nga një ekonomi e shkatërruar dhe korrupsioni i shfrenuar i një elite të re politike të fraksioneve të bazuara në sekta.

Sheshi Firdos u rinovua dhe u bë një park i vogël, i financuar nga bankat private. Në një ndërtesë që ngrihet mbi shesh është një mural i madh i gjeneralit iranian Kasem Soleimani - i vrarë në një sulm me dron amerikan në vitin 2020 - dhe imam Huseinit, nipit të Profetit Muhamed. Imazhe të tilla shiite po përhapen në Bagdad për shkak të dominimit të partive shiite të mbështetura nga pushteti në Iran.

 Al-Shara thotë se megjithëse nuk i mungon sundimi i Sadamit, atij i mungon "shteti i ligjit".

“Familjet janë shumë të frikësuar për të ardhur në park sepse ka shpërndarës droge”, tha ai.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me statujën e Sadamit, por gjuetarët e suvenireve i kanë mbledhur copat.

Në vitin 2003, një grup marinsash të rinj amerikanë nga Utah thanë se i kishin prerë krahun e djathtë statujës dhe synonin ta shisnin në eBay. Por ajo u zhduk nga ngarkesa e tyre ndërsa ata po përpiqeshin ta kontrabandonin atë në Shtetet e Bashkuara.

Një tregtar gjerman i antikiteteve tha në vitin 2016 se ai bleu këmbën e majtë të statujës së Huseinit dhe më pas e rishiti atë në eBay për një vlerë prej më shumë se 100,000 dollarësh.

Në vitin 2017, gazetari britanik Najxhel Eli, shkroi një libër për një pjesë të vithit të majtë të shkëputur nga statuja e Sadamit. Ai u përpoq ta nxirrte në ankand për bamirësi, por nuk mori një ofertë mjaft të lartë.

Politika e Sadamit për të mbushur Bagdadin dhe qytete të tjera me pallate, statuja dhe portrete të tij "krijoi një imazh të një udhëheqësi hyjnor", tha për AP, Renad Mansour, një anëtar i lartë në Çatam Hauz. Sadami "duhej ta projektonte pushtetin në mënyra të ndryshme për t'u kujtuar njerëzve se kush ishte në krye."

]Disa nga monumentet e Sadamit mbetën akoma, kryesisht sepse ato kishin një rëndësi nacionaliste që e kapërceu këtë pjesë. Për shembull, ende mbi lumin Tigër ngrihet "Harku i Fitores" i dy duarve gjigante që mbajnë shpata të kryqëzuara dhe dy gjysmë kupola të mëdha me ngjyrë akuamarin, të quajtura Monumenti i al-Shahid - Monumenti i Dëshmorëve. Ato u zbuluan në vitin 1983 dhe 1989 për të përkujtuar ata që vdiqën në luftën Iran-Irak të viteve 1980.

Pallati Al Fau u ndërtua nga Sadami në vitet 1990 në një ishull në mes të një liqeni të krijuar nga njeriu për të përkujtuar rimarrjen e gadishullit me të njëjtin emër gjatë luftës. Është përdorur për herë të parë pas vitit 2003 si seli ushtarake e koalicionit amerikan me emrin “Kamp Viktori”. Më vonë u shndërrua në Universitetin Amerikan të Bagdadit, falë financimit të biznesmenit të njohur irakian, Sadi Saihoud.

Prania e Sadamit është ende në kampus: inicialet e tij janë gdhendur në mure dhe tavane. Liqeni i krijuar nga njeriu është ende i mbushur me një lloj race të një krapi gjigant të sjellë nga Sadami.

Por çdo gjë që pasqyronte drejtpërdrejt Sadamin u fshi.

Një ditë pasi statuja u rrëzua nga sheshi Firdos, kurdët rrëzuan një statujë të Sadamit në qytetin verior të Kirkukut. Ata gjuanin me këpucë në drejtim të fytyrës së Sadamit dhe festonin  rënien e njeriut që shtypi brutalisht popullin, duke përfshirë një fushatë të rrezikshme në vitet 1980 që Human Rights Watch e quajti gjenocid. Ato dhe statuja të tjera janë zëvendësuar me imazhe të liderëve kurdë, veçanërisht Masoud Barzani, i cili udhëhoqi rajonin autonom kurd në veri nga viti 2005 deri në vitin 2017.

Në Bagdad, lagja më e madhe shiite quhej prej kohësh "Qyteti i Sadamit". Sadami, i cili shtypi brutalisht çdo mospajtim midis shiitëve të Irakut, vendosi qëllimisht një mural të madh dhe shumëngjyrësh të tij në pjesën kryesore të distriktit.

Në qershor të vitit 2003, shiitët u mblodhën për një ceremoni për të riemërtuar zonën "Sadër Sity", sipas familjes së klerikëve të shquar shiitë. Është zbuluar një mural tjetër zëvendësues që tregon Mohamed-Baqir al-Sadër dhe Mohamed-Sadiq al-Sadër - dy klerikë të vrarë nën regjimin e Sadamit për kundërshtimin e sundimit të tij.

Ata janë të afërm të Muktada al-Sadër, klerikut të zjarrtë, milicia e të cilit luftoi pushtimin amerikan pas rënies së Sadamit. Sot, ai është një nga udhëheqësit më të fuqishëm të fraksionit në Irak, përballë partive rivale shiite të mbështetura nga Irani që dominojnë pozitat qeveritare. Sadër Sity, shtëpia e miliona shiitëve kryesisht të varfër, është bastioni i tij kryesor.

“Fjalët nuk mund të përshkruajnë se si u ndjeva në atë moment. Ishte si të shkoje nga errësira në dritë”, tha Talal Musa për ceremoninë e riemërtimit, në të cilën mori pjesë si adoleshent. Tani punëtori 37-vjeçar në agjencinë shtetërore të energjisë elektrike, sheh se shpresat e tij për një të ardhme më të mire, po zhduken.

“Tani, për fat të keq, kemi këtë juntë të korruptuar që ka kontrolluar vendin në 20 vitet e fundit”, tha ai.

QËNDRONI TË LIDHUR