FIFA zyrtarisht i publikoi organizatorët e Kupave botërore në vitin 2030 dhe 2034
- Qendra botërore e futbollit FIFA i ka shpallur zyrtarisht organizatorët e Kupës së Botës në vitin 2030 dhe 2034.
Cyrih, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Qendra botërore e futbollit FIFA i ka shpallur zyrtarisht organizatorët e Kupës së Botës në vitin 2030 dhe 2034.
Kupa e Botës 2030 do të mbahet në Marok, Portugali dhe Spanjë. Tri ndeshje të tjera do të luhen edhe në Amerikën e Jugut - në Uruguaj, Paraguaj dhe Argjentinë.
Më parë u raportua se Italia ka vendosur të mos paraqesë një ofertë të përbashkët me Arabinë Saudite dhe Egjiptin për të pritur Kupën e Botës 2030 FIFA. Kështu, e vetme ka mbetur kandidatura e Marokut, Portugalisë dhe Spanjës.
Për herë të parë Botërori në futboll do të mbahet në tre kontinente dhe në gjashtë shtete. Shumica e ndeshjeve të Kupës së Botës 2030 do të luhen në Marok, Spanjë dhe Portugali. Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Uruguaj me pjesëmarrjen e kombëtares vendase. E njëjta gjë vlen edhe për takimet e para të ekipeve kombëtare të Argjentinës dhe Paraguajit në grupe - duelet e para do t'i luajnë në vendet e tyre.
Uruguaji do të luajë ndeshjen hapëse me rastin e 100-vjetorit të Botërorit të parë të mbajtur në Uruguaj.
Kupa e Botës FIFA 2034 do të mbahet në Arabinë Saudite, njoftoi FIFA në kongresin e jashtëzakonshëm të sotëm në selinë e saj.
Australia gjithashtu kishte të drejtë të ishte organizatore e turneut, por më pas e tërhoqi ofertën e saj për organizim të Kupës së Botës FIFA 2034, duke e lënë Arabinë Saudite si pretendente të vetme.
Sipas organizatorëve, Kupa e Botës në Arabinë Saudite do të mbahet në gjithsej 15 stadiume në pesë qytete: Riad, Xheda, Abha, Al Hobar dhe Neom, qytet ende i pazhvilluar në veriperëndim të vendit.
Në planet për stadiumin Neom qëndron se do të jetë 350 metra mbi nivelin e detit dhe do të aksesohet vetëm nga ashensorë me shpejtësi të lartë dhe vetura vetëdrejtuese. mb/
Foto: MIA