FIFA sanksionon Federatën Shqiptare të Futbollit për ndeshjen Shqipëri-Serbi
- Federata Shqiptare e Futbollit publikoi se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin "Er Albania" në Tiranë.
- Post By Sara Ademi
- 14:23, 23 korrik, 2025
Tiranë, 23 korrik 2025 (MIA) - Federata Shqiptare e Futbollit publikoi se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin "Er Albania" në Tiranë.
Sipas vendimit të FIFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është sanksionuar me 161,500 franga zvicerane dhe është urdhëruar të luajë ndeshjen e saj të radhës në vend kundër Letonisë me të paktën 20 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.
"Ky ndëshkim vjen si rezultat i sjelljeve të përsëritura, të papërshtatshme dhe diskriminuese nga disa tifozë shqiptarë, duke përfshirë: thirrje me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorim gjestesh dhe mesazhesh të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë interpretimit të himneve kombëtare", deklaron FSHF-ja.
Federata e konsideron këtë vendim një ndëshkim të rëndë për të gjithë komunitetin e futbollit, i cili dëmton jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Në reagimin e saj, ajo u bën thirrje "të gjithë tifozëve kuq e zi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë ekipin, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë". "Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim ekipin kombëtar ashtu siç e meriton", thekson Federata në kumtesën e saj. sa/
Foto: Federata Shqiptare e Futbollit