• e premte, 05 dhjetor 2025

Fetai: Viti i parë i Qeverisë së re ishte periudhë e vështirë, por ishte vit i shpresës, filluam nga minusi

Fetai: Viti i parë i Qeverisë së re ishte periudhë e vështirë, por ishte vit i shpresës, filluam nga minusi

Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) – Zëvendëskryeministri përgjegjës për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai në konferencën e sotme për media i prezantoi politikat vijuese dhe të ardhshme në sferën e qeverisjes së mirë në vitin e parë të mandatit të Qeverisë së re. Fetai theksoi se viti i parë ishte periudhë e vështirë, por, siç tha, ishte vit i shpresës. 

“Ky vit i parë ishte një periudhë e vështirë, por ishte një vit shprese sepse nuk filluam nga e para, por nga minusi. Trashëguam një sistem të shkatërruar, të abuzuar dhe të korruptuar. Por mbi ato rrënoja filluam të ndërtojmë një model të ri qeverisjeje me themele ndershmërie, profesionalizmi dhe transparence. Çfarë gjetëm kur filluam? Gjakderdhje financiare me mbi 70 për qind të buxhetit të shpenzuar në pesë muajt e parë të vitit. Krim dhe korrupsion të strukturuar në çdo institucion, në çdo sektor. Qindra miliona euro para të qytetarëve u keqpërdorën dhe ata që janë përgjegjës po fillojnë të mbajnë përgjegjësi për këtë. Strategji, plane të miratuara, por të lëna në sirtarë të vdekura në letër. Një sistem gjyqësor i kapur nga parapolitika dhe oligarkia. Një sistem që punoi kundër interesit publik, kundër qytetarit. Çfarë kemi bërë për të ndryshuar këtë situatë? Ne premtuam ndershmëri, angazhim dhe ndryshim të vërtetë. Dhe e filluam këtë nga thelbi i problemit - mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar qeverisje të përgjegjshme. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë NDI, UNOPS, USAID, të cilëve u falënderoj sinqerisht për mbështetjen e tyre. Ne kemi përgatitur planin vjetor për qeverisje të mirë për vitin 2025, i cili është në dispozicion për të gjithë në ueb-faqen e Qeverisë. Ky Plan bazohet në katër shtylla themelore - parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit, forcimi i kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, transparenca dhe qasja në informacion për qytetarët, dialogu strategjik me shoqërinë civile”, tha ai.

Zëvendëskryeministri theksoi se në këtë vit të parë kanë bërë hapa konkretë që ta kthejnë besimin dhe të ndërtojnë shtet i cili u shërben qytetarëve. 

“Lidhur me luftën kundër korrupsionit –krijova Organin Koordinues Ndërministror Kundër Korrupsionit, në të cilin për herë të parë edhe organizatat e shoqërisë civile morën të drejtën e votës, sepse lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm institucionale, por edhe sociale. Ky organ tashmë ka miratuar metodologjinë për integrimin e masave kundër korrupsionit në negociatat me BE-në dhe aktualisht është duke u reformuar për t'u bërë më efikas. Gjithashtu po forcojmë mekanizmat për mbikëqyrje dhe nxitje politike për luftën kundër korrupsionit në nivel politik. Së dyti – Rindërtimi i besimit me shoqërinë civile. Këshilli për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile pushoi së funksionuari në vitin 2022. Pra, dy vite të humbura ku nuk kishte më dialog midis shtetit dhe sektorit civil. Ne ringjallëm Këshillin për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile. Mbajtëm tre takime dhe përgatitëm strategjinë e re të bashkëpunimit, e cila së shpejti do të miratohet nga Qeveria. Ne kemi rivendosur një dialog të strukturuar, të hapur dhe konstruktiv me shoqërinë civile, i cili është një korrigjues dhe vëzhgues i punës së qeverisë, i cili ofron shërbime për qytetarët dhe u jep zë atyre që nuk po dëgjohen. Kjo është provë se nuk kemi frikë nga kritikat. Përkundrazi, ne e mirëpresim atë", tha ai.

Fetai informoi se në kuadër të këtij viti Qeveria e ka miratuar Strategjinë e re për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë. 

Informoi se në procedurë qeveritare parashtruan informacion me masa konkrete dhe veprim urgjent nga ana e institucioneve në lidhje me përmirësimin e transparencës. 

Zëvendëskryeministri Fetai informoi se për momentin po punojnë në krijimin e regjistrit të parë të pasurisë së paluajtshme shtetërore. 

Informoi se për parandalimin e keqpërdorimeve, në bashkëpunim me Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Ekonomisë punojnë në krijimin e një regjistri të veturave zyrtare. Potencoi se deri në shtator të gjitha veturat zyrtare do të pajisen me ngjyrë të veçantë të tabelave, që, siç tha, pritet t’i jepet fund keqpërdorimit të tyre për qëllime jozyrtare. 

Paralajmëroi se në nëntor për herë të parë në rajon, vendi ynë do ta organizojë konferencën rajonale në sferën e sigurisë në bashkëpunim me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe Qeverinë e Italisë. 

Ndërsa në dhjetor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në vend do të mbahet Konferenca Rajonale për luftë kundër Korrupsionit. “Qëllimi ynë është që kjo konferencë të bëhet tradicionale dhe që Maqedonia e Veriut të pozicionohet si lidere rajonale në këtë fushë”, tha zëvendëskryeministri Fetai. fc/

Foto: Printskrin prej videos

QËNDRONI TË LIDHUR