Fetai: Nëse duam zhvillim, investime dhe ndalim të shpërnguljes na duhet sundim funksional i së drejtës
- Nëse nuk kemi sundim funksional të së drejtës dhe nëse prokurorët dhe gjykatësit nuk veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve, nuk do të kemi zhvillim ekonomik, nuk do të kemi kurrfarë investimesh dhe qytetarët tanë do të vazhdojnë të largohen nga vendi, porositi sot nga Brukseli zëvendëskryeministri i ngarkuar për qeverisje të mirë Arben Fetai në fjalën e tij në seancën “Drejtësia e përbashkët: Ndërtimi i sistemeve më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse në rajon” në kuadër të forumit “Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Qasje e ripërtërirë ndaj rajonit” të organizuar të Brukselit nga think-tanku Miqtë e Evropës.
- Post By Fami Bajrami
- 20:09, 5 dhjetor, 2024
Bruksel, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Nëse nuk kemi sundim funksional të së drejtës dhe nëse prokurorët dhe gjykatësit nuk veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve, nuk do të kemi zhvillim ekonomik, nuk do të kemi kurrfarë investimesh dhe qytetarët tanë do të vazhdojnë të largohen nga vendi, porositi sot nga Brukseli zëvendëskryeministri i ngarkuar për qeverisje të mirë Arben Fetai në fjalën e tij në seancën “Drejtësia e përbashkët: Ndërtimi i sistemeve më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse në rajon” në kuadër të forumit “Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Qasje e ripërtërirë ndaj rajonit” të organizuar të Brukselit nga think-tanku Miqtë e Evropës.
"Për vite e vite me radhë, ne kemi pasur kërkesa nga partnerët ndërkombëtarë për të treguar rezultatet e përpjekjeve të tyre të deritanishme kur bëhet fjalë për luftë kundër korrupsionit. Megjithatë, në vitet 2023-2024, ne kemi zero aktgjykime përfundimtare në lidhje me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë", theksoi Fetai.
Sipas tij, është e qartë se vendi duhet të japë rezultate në këtë fushë dhe për këtë arsye një nga katër prioritetet kryesore në të cilat po punon Qeveria e re, përveç integrimit evropian, zhvillimit ekonomik dhe decentralizimit, është edhe lufta kundër korrupsionit.
Fetai theksoi se pikërisht korrupsioni, krimi dhe mungesa e sundimit të së drejtës ishin arsyet pse Qeveria aktuale korri fitore plebishitare në zgjedhjet, duke siguruar thuajse shumicë prej dy të tretave në Kuvend.
"Duhet të rikthejmë besimin e qytetarëve në institucionet tona, të sigurojmë pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e së drejtës. Pikërisht këto janë prioritetet strategjike të Qeverisë", theksoi Fetai.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë theksoi se sipas hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare, vetëm dy për qind e qytetarëve të Maqedonisë besojnë në sistemin e drejtësisë në vend, jo vetëm në statistika, por është reflektim i zhgënjimit të thellë në mesin e qytetarëve.
Sipas tij, një nga arsyet e kësaj situate është financimi i pamjaftueshëm i institucioneve të gjyqësorit, zbatimit të ligjit dhe antikorrupsionit, gjë që rezulton në mungesë të burimeve njerëzore në gjykata dhe Prokurorinë Publike.
"Në mënyrë që ta ndryshojmë këtë, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, së bashku me Bashkimin Evropian, kemi vendosur axhendë shumë të qartë aktive, e cila është gjithashtu një axhendë reformash. Kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit, parashikohet reformë e Këshillit Gjyqësor", tha Fetai.
Krahas kësaj, sipas tij, rikthimi i integritetit është po aq i rëndësishëm, ndaj po punohet në përmirësimin e proceseve për mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, emërimet, vlerësimet e tyre dhe, nëse është e nevojshme, edhe shkarkimet.
Për këtë qëllim, siç theksoi Fetai, axhenda e reformës parashikon reformë sistemore të sistemit të drejtësisë, përmes miratimit të ligjeve të reja për Këshillin Gjyqësor, Prokurorinë Publike dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, si dhe për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve.
"Por, përmirësimi i sistemit nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve të reja. Ashtu si vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, ne kemi shumë probleme me zbatimin e ligjeve", tha Fetai.
Ai paralajmëroi se buxheti i vitit 2025 do të sigurojë më shumë mjete për gjyqësorin dhe se do të punohet për një mekanizëm institucional për të lehtësuar zbatimin e strategjisë anti-korrupsion të vendit dhe për të siguruar gjithëpërfshirje më të madhe në atë proces, duke përfshirë shoqërinë civile në të.
"Jo vetëm ligjet dhe politikat janë të mjaftueshme, por një kulturë përgjegjësie dhe transparence duhet të ndërtohet në të gjitha nivelet, me qytetarët tanë, me mediat dhe partnerët ndërkombëtarë", shtoi Fetai.
Duke vënë në dukje se rritja e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve mund të jetë e nevojshme për të forcuar luftën kundër korrupsionit, Fetai theksoi se ai nuk mendon se problemi është me pagat, duke kujtuar se kemi përvojë traumatike me Prokurorinë Speciale Publike ku prokurorët paguheshin shumë mirë në krahasim me të punësuarit tjerë në sektorin publik.
Sipas tij, në një periudhë afatshkurtër, vendi ka nevojë për përpjekje konkrete në reformën e gjyqësorit, duke paralajmëruar, siç tha ai, “një lloj vetingu” në sektorin e drejtësisë, e ndoshta edhe më gjerë.
Fetai theksoi se, sipas tij, është e papranueshme që njerëzit nga politika të shkojnë drejtpërdrejt në gjyqësor, kështu që ai njoftoi se do të propozonte të ashtuquajturën periudhë “ftohjeje” midis kalimit nga politika në detyrë në gjyqësor ose prokurori publike.
Lidhur me zgjerimin e Bashkimit, Fetai theksoi se 20 vjet më parë kishim një rast ku "BE pretendonte të integronte" Ballkanin Perëndimor dhe "rajoni pretendonte të bënte diçka" në lidhje me reformat. Por tani, sipas tij, gjërat kanë ndryshuar dhe si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, procesi i zgjerimit është përsëri në krye të axhendës.
"Mendoj se të gjithë po shkojmë në drejtimin e duhur tani. Njerëzit flasin për afate të qarta, përmendim datat 2027-28 për integrimin e rajonit dhe ky është gjithashtu një afat kohor në të cilin po punojmë të gjithë", theksoi Fetai.
Përveç kësaj, sipas tij, Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor do të sigurojë mbështetje financiare për investimet dhe zbatimin e reformave në rajon, por siç theksoi ai, nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por gjithashtu kërkon vullnetin për t'i shfrytëzuar ato para për qëllim të mirë.
Ai theksoi se përveç mbështetjes së Komisionit Evropian dhe agjencive të tjera të BE-së, vendet e rajonit me koordinim të ndërsjellë duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në rrugën evropiane dhe në zbatimin e reformave të dhimbshme.
"Fakti që Ballkani Perëndimor është tani pjesë e Raportit të Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës, po ashtu, do të na japë tregues shumë të qartë se ku kemi probleme, do të mund t'i emërojmë problemet dhe shpresojmë se do t'i tejkalojmë ato nëse ka vullnet të qartë politik për ta bërë këtë në vendet e rajonit", konkludoi Fetai.
Foto: MIA