Fetai në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit: Integriteti nuk është slogan, është bazë mbi të cilën rindërtohet besimi
- Në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, më 9 dhjetor, festojmë jo vetëm një ditë simbolike, por një thirrje globale për veprim të vendosur kundër korrupsionit që pengon zhvillimin dhe sundimin e ligjit në rajonin tonë. Si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne e trajtojmë luftën kundër korrupsionit si politikë të qëndrueshme shtetërore, e bazuar në rezultate të matshme dhe jo në premtime boshe. Qytetarët tanë meritojnë institucione transparente, rikthim të pasurisë së vjedhur dhe sisteme digjitale që e bëjnë korrupsionin të pamundur, ka thënë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.
- Post By Fami Bajrami
- 13:24, 9 dhjetor, 2025
Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA)- Në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, më 9 dhjetor, festojmë jo vetëm një ditë simbolike, por një thirrje globale për veprim të vendosur kundër korrupsionit që pengon zhvillimin dhe sundimin e ligjit në rajonin tonë. Si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne e trajtojmë luftën kundër korrupsionit si politikë të qëndrueshme shtetërore, e bazuar në rezultate të matshme dhe jo në premtime boshe. Qytetarët tanë meritojnë institucione transparente, rikthim të pasurisë së vjedhur dhe sisteme digjitale që e bëjnë korrupsionin të pamundur, ka thënë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.
“Për të shënuar këtë ditë dhe për të avancuar bashkëpunimin rajonal, nesër, më 10 dhjetor 2025, në Hotel DoubleTree by Hilton në Shkup, do të zhvillohet Forumi Rajonal “Nga politika në ndikim: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”. Ky forum, i organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në partneritet me Suedinë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe UNOPS, do të mbledhë ministra të drejtësisë, drejtues institucionesh antikorrupsion, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare nga i gjithë Ballkani Perëndimor”, thotë Fetai.
Forumi pritet të sjellë angazhime të reja, koordinim të thelluar mes vendeve të rajonit dhe qasje të avancuara në luftën kundër korrupsionit, përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Detajet e plota do të publikohen në komunikimin zyrtar gjatë ditës së mbajtjes së Forumit.
Foto: kabineti i Arben Fetait