• e premte, 06 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Fetai: ASH është pjesë e Qeverisë, Mickoski në ditët në vijim do të ketë takime të veçanta me partnerët e koalicionit

Fetai: ASH është pjesë e Qeverisë, Mickoski në ditët në vijim do të ketë takime të veçanta me partnerët e koalicionit

Shkup, 23 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, sot në një deklaratë për media ka theksuar se anëtarët e Qeverisë nga Aleanca e Shqiptarëve të udhëhequr nga Arben Taravari për momentin mbeten në ekipin qeveritar dhe se puna në pushtetin ekzekutiv vazhdon normalisht.

"ASH është në Qeveri, nuk kemi plane për ndryshim të pozitave tona në Qeveri. Vazhdojmë të punojmë, çdo ditë sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Dje kemi pasur një seancë të qeverisë në të cilën nuk është thënë asnjë shqetësim", tha Fetai në ngjarjen për Ditën Ndërkombëtare të Librit në Kumanovë.

Zëvendëskryeministri konfirmoi se kryeministri Hristijan Mickoski në ditët në vijim do të ketë takime të veçanta me partnerët e koalicionit ASH, VLEN dhe ZNAM.

"Ai (Taravari) ka kontakte të përditshme me kryeministrin Mickoski dhe partnerët e koalicionit. Disa prej nesh kanë thënë dhe unë them se bashkëpunimi vazhdon në Qeveri. Ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe besoj i keni parë edhe shkrimet në media se në ditët në vijim kryeministri do të ketë konsultime veçmas me partitë, me koalicionin VLEN, Aleancën për Shqiptarët, ZNAM. Tani për tani asgjë nuk ka ndryshuar, përveç konsultimeve që pritet të zhvillohen në ditët në vijim. Besoj se nuk ka vend për lëvizje të njëanshme nga asnjë parti dhe se duhet të mendojmë për stabilitetin e kësaj qeverie. ASH-ja me pesë deputetët e saj është çelësi i stabilitetit të kësaj përbërje", tha ai.

I pyetur se si Aleanca për Shqiptarët e Taravarit do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, gjegjësisht nëse do të bëjë koalicion me partitë opozitare, Fetai ka theksuar se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë dhe se partia e tyre do të gjejë zgjidhje për ofertën më të mirë për qytetarët.

"Nuk dua të paragjykoj rezultatin e kontakteve të ndryshme që po ndodhin në këtë fazë. Tani për tani, derisa jemi duke folur dhe derisa të ketë një vendim mes partnerëve të koalicionit, ne jemi pjesë e Qeverisë. Nuk përjashtohemi, vazhdojmë të kontribuojmë në shumicëm parlamentare. Deputetët tanë vazhdojnë të bëjnë punën e tyre dhe ne në pushtetin ekzekutiv. Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje që ofron ofertën më të mirë për qytetarët e këtij vendi, si për zgjedhjet lokale ashtu edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nëse ato ndodhin, pavarësisht se kur do të ndodhin", theksoi Fetai. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR