Federika Mogerini është arrestuar në kuadër të hetimit për keqpërdorim të mjeteve të BE-së
- - Policia belge sot në mëngjes arrestoi tre persona në kuadër të një hetimi që lidhet me keqpërdorimin e supozuar të mjeteve të Bashkimit Evropian, përfshirë rektorin e Kolegjit të Evropës në qytetin belg të Brizhit dhe ish-përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federika Mogerini, njoftuan mediat e Brukselit, duke cituar burime policore.
- Post By Fitore Curri
- 15:28, 2 dhjetor, 2025
Bruksel, 2 dhjetor 2025 (MIA) - Policia belge sot në mëngjes arrestoi tre persona në kuadër të një hetimi që lidhet me keqpërdorimin e supozuar të mjeteve të Bashkimit Evropian, përfshirë rektorin e Kolegjit të Evropës në qytetin belg të Brizhit dhe ish-përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federika Mogerini, njoftuan mediat e Brukselit, duke cituar burime policore.
Personat e arrestuar janë të dyshuar për mashtrime me furnizime publike, korrupsion dhe konflikt të interesave. Identiteti i dy të arrestuarve të tjerë nuk është publikuar, por theksohet se bëhet fjalë për persona të cilët kryejnë “qëndrime të larta në diplomacinë evropiane”.
Arrestimet vijuan pasi sot në mëngjes nëpunës të policisë kryen bastisje në selinë e Shërbimit Evropian për Punë të jashtme (EEAS) në Bruksel, në Kolegjin në Brizh, si dhe në disa shtëpi private përgjatë Belgjikës.
Gjatë bastisjeve të zbatuara në kuadër të këtij hetimi të iniciuar nga Prokuroria Publike Evropiane në lidhje me dyshimet për mashtrime me mjete evropiane të shfrytëzuara për trajnime të diplomatëve, janë konfiskuar edhe shumë dokumente.
Hetimi, i cili përfshin edhe Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), ka lidhje me "Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian". Është program trajnimi nëntëmujor për diplomatë të rinj të EEAS-it që iu dha Kolegjit të Evropës në bazë të një tenderi. Hetimi specifik ka të bëjë me trajnimin në periudhën 2021-22.
Qëllimi i hetimit është që të konfirmojë nëse Kolegji në Evropë që më parë ishte informuar për kriteret në procedurën e tenderëve, madje edhe para publikimit zyrtar të tenderit nga ana e Shërbimit Diplomatik Evropian.
“Ekzistojnë dyshime serioze se gjatë procedurës së tenderit është shkelur Neni 169 i Rregullores Financiare të BE-së për konkurrencën e ndershme dhe se informacioni konfidencial në lidhje me tenderin është ndarë me një nga kandidatët”, njoftoi Prokuroria Publike Evropiane.
Italiania Mogerini ishte përfaqësuese e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë nga viti 2014 deri në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 ishte emëruar rektore në Kolegjin e Evropës. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s