• e shtunë, 21 dhjetor 2024

FAO: Vdekje nga uria u kanoset 17.7 milionë sudanezëve

FAO: Vdekje nga uria u kanoset  17.7 milionë sudanezëve

 Gjenevë, 15 dhjetor 2023 (MIA)  -  Konflikti i armatosur në Sudan (me 46 milionë banorë) është gjithnjë e më shkatërrues edhe krahas shpalljeve deklarative të liderëve të forcave konfliktuale të ushtrisë sudaneze, gjeneral Abdel Fatah Burhan dhe Forcave për Ndërhyrje të Shpejtë, gjeneral Mohamed. Hamdan Dagalo se janë gati për negociata, paralajmëroi sot Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë  e  Kombeve të Bashkuara (FAO).

Sipas vlerësimeve të FAO-s, pothuajse 18 milionë njerëz në të gjithë Sudanin përballen me "nivel të lartë të mungesës akute të ushqimit". Vëzhguesit theksojnë se në muajt e ardhshëm, dhe para shkurtit të vitit 2024, 17.7 milionë sudanezë kërcënohen me uri të rëndë dhe vdekje pothuajse të sigurt. 

 Popullata më e cenueshme është e përqendruar në njësitë federale të Sudanit ku vazhdojnë konfliktet më të ashpra: Darfuri i Madh, Kordofani i Madh dhe kryeqyteti Hartum.

Adam Jao, zëvendës përfaqësuesi i FAO-s në Sudan, vlerësoi se situata e sigurisë së ushqimit në vend është "e rëndë" dhe është rritur në "nivele jashtëzakonisht alarmante, gjë që kërkon veprim urgjent dhe kolektiv". 

 Ndërkohë, konflikti i armatosur në Sudan po përhapet edhe në rajonin bujqësor të Al Xhazira në jug të Hartumit, i cili deri vonë ishte i kursyer nga veprimet e forcave rivale, raporton Bi-Bi-Si.

 Që nga shpërthimi i konfliktit në mes të prillit, më shumë se shtatë milionë sudanezë dhe refugjatë që u gjendën në vendin e tretë më të madh të Afrikës rrugës për në Evropë, ose Gadishullin Arabik, janë zhvendosur me forcë brenda Sudanit dhe vendeve përreth, kryesisht në Egjipt dhe në Çad.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR