• e diel, 22 dhjetor 2024

FAO: Çmimet e ushqimeve në mars në nivelin më të ulët për një vit e gjysmë

FAO: Çmimet e ushqimeve në mars në nivelin më të ulët për një vit e gjysmë

Romë, 7 prill 2023 (MIA) - Çmimet botërore të ushqimeve ranë në mars në nivelin më të ulët për një vit e gjysmë, njoftoi sot agjencia e KB-së, FAO. Indeksi i çmimeve të një shporte produktesh ushqimore bazë ra në mars për 2,8 pikë nga vlera e rishikuar për muajin shkurt, në mesataren 126,9 pikë, vlera më e ulët që nga korriku 2021.

Rënia e indeksit pasqyron ofertën e bollshme, kërkesën e ulët për importe dhe zgjatjen e një marrëveshjeje që mundëson eksportet e drithërave nëpërmjet Detit të Zi, shpjegoi FAO.

Çmimet e drithërave ranë për 5,6 përqind krahasuar me shkurtin, tha agjencia e OKB-së, duke veçuar një rënie prej 7.1 përqind të çmimeve të grurit. Edhe çmimi i misrit u ul, për 4,6 për qind, për shkak të parashikimeve për një korrje rekord në Brazil. Çmimet e orizit ranë për 3,2 për qind, gjë që FAO ia atribuoi korrjes së ardhshme te eksportuesit kryesorë, përfshirë Indinë, Vietnamin dhe Tajlandën.

Vajrat vegjetale janë bërë më të lira për 3,0 për qind krahasuar me muajin shkurt dhe në krahasim me marsin e kaluar, çmimet e tyre janë 47,7 për qind më të ulëta.

"Edhe pse çmimet në nivel botërorë kanë rënë, ato akoma janë shumë të larta dhe vazhdojnë të rriten në tregjet e brendshme, gjë që paraqet sfidë shtesë për sigurinë ushqimore"; paralajmëroi ekonomisti kryesor i FAO-s, Maksimo Torero në kumtesë.

"Kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet në zhvillim që janë importues neto të ushqimit, ndërsa situata përkeqësohet me uljen e valutave të tyre kundrejt dollarit amerikan pse euros dhe barrës në rritje të borxhit", shtoi Torero.

Çmimet e qumështit dhe produkteve të qumështit në muajin mars kanë qenë më të larta për 0,8 për qind se në muajin shkurt. Nga ana tjetër, çmimi i sheqerit u rrit për 1,5 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë që nga tetori 2016, i nxitur nga shqetësimet për uljen e prodhimit në Indi, Tajlandë dhe Kinë.

Mishi, gjithashtu, është rritur për 0,8 për qind, duke reflektuar çmimet më të larta të mishit të viçit në SHBA për shkak të ofertës më të dobët të pritur dhe çmimeve më të larta të mishit të derrit në Evropë përpara festave.

Në një raport të veçantë mbi ofertën dhe kërkesën në tregjet e drithërave, FAO rriti pak vlerësimin e saj për prodhimin botëror të grurit në 2023 në 786 milionë tonë, që do të ishte 1,3 për qind më pak se vitin e kaluar, por ende afër një niveli rekord. ls/

Foto: MIA arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR