Fakulteti Juridik në Tetovë ia dorëzoi Artan Grubit vendimin për largimin nga puna
- Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Safet Emurli, informoi për MIA-n se Artan Grubit, i cili është i punësuar si profesor në drejtimin e Gazetarisë, i është dërguar vendim për largim nga puna.
Tetovë, 8 janar 2025 (MIA) - Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Safet Emurli, informoi për MIA-n se Artan Grubit, i cili është i punësuar si profesor në drejtimin e Gazetarisë, i është dërguar vendim për largim nga puna.
Një pjesë e mediave informoi se procedura e largimit nga puna ka nisur pasi ai nuk është paraqitur në punë gjatë muajit dhjetor. Grubi ishte i punësuar aty që nga viti 2012, ndërsa për shkak të kryerjes së funksionit publik, vendi ishte në pushim deri në gusht të vitit 2024 kur u kthye në punë.
"Procedura ka përfunduar me largim nga puna të personit të përmendur. Pra nuk është më i punësuar në Universitetin e Tetovës. Vendimi për largim nga puna i është dërguar me postë dhe në mënyrë elektronike në e-mailin zyrtar", deklaroi Emurli për MIA-n.
Në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës në përputhje me nenin 82, thuhet se punëdhënësi mund t'ia anulojë kontratën e punës punëmarrësit pa paralajmërim në rast të shkeljes së rendit dhe disiplinës së punës ose mospërmbushjes së detyrimeve të punës të përcaktuara me këtë ose ligj tjetër, marrëveshje kolektive, rregullat për rendin dhe disiplinën e punës dhe kontratën e punës, e veçanërisht nëse punëmarrësi mungon në mënyrë të paarsyeshme nga puna për tri ditë pune radhazi ose pesë ditë pune gjatë vitit.
Më 9 dhjetor të vitit 2024, Grubi ishte në të ashtuquajturën Lista e Zezë e Departamentit amerikan të Shtetit, nga ku treguan se së bashku me një gjyqtar janë përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm duke marrë ryshfet për rastet që kanë të bëjnë me ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijalkov. Ndaj tij është nisur edhe procedimi penal për çështjen “Lotaria Shtetërore”. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s