• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fajnenshëll tajms: Riadi dhe Ankaraja kërkojnë zgjidhje për t'i kthyer fëmijët ukrainas nga Rusia

Fajnenshëll tajms: Riadi dhe Ankaraja kërkojnë zgjidhje për t'i kthyer fëmijët ukrainas nga Rusia

Londër, 18 korrik 2023 (MIA) - Arabia Saudite dhe Turqia po përpiqen të ndërmjetësojnë për arritjen e një marrëveshje për kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi dhe të vendosur në jetimore ose familje ruse, publikoi sot "Fajnenshëll tajms".

FT, duke cituar katër persona të njohur me bisedimet, raportoi se çështja ishte në negociata për disa muaj dhe se ish-pronari i Klubit të Futbollit Çelzi, Roman Abramoviç ishte i përfshirë në përpjekjen e ndërmjetësimit.

Si pjesë e procesit të ndërmjetësimit, autoritetet në Kiev dhe Moskë thuhet se po përpilojnë listat e fëmijëve të transferuar në Rusi pas pushtimit të përgjithshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Daria Herasimçuk, një këshilltare e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski dhe komisionere për të drejtat e fëmijëve dhe rehabilitimin, nuk pranoi të komentojë mbi raportet e mediave.

Zelenski vazhdimisht u kërkon liderëve të huaj të ndihmojnë në këtë çështje.

Kievi vlerëson se rreth 19,500 fëmijë janë dëbuar ilegalisht në Rusi ose në Krimenë e pushtuar që nga fillimi i pushtimit. Të dhënat zyrtare të Ukrainës tregojnë se vetëm 385 fëmijë janë kthyer.

Moska, e cila kontrollon pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore, mohon rrëmbimin e fëmijëve. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR