Evropa Jugore "digjet" nga i nxehti ekstrem
- Një valë e re e të nxehtit përfshiu sot Evropën e jugut, duke nxitur autoritetet të japin paralajmërim për shëndetin dhe zjarret pyjore, sepse pritet që temperaturat sërish të rriten.
- Post By Sara Ademi
- 12:15, 30 qershor, 2025
Paris, 30 qershor 2025 (MIA) - Një valë e re e të nxehtit përfshiu sot Evropën e jugut, duke nxitur autoritetet të japin paralajmërim për shëndetin dhe zjarret pyjore, sepse pritet që temperaturat sërish të rriten.
Franca, Italia, Portugalia dhe Spanja kanë luftuar me vapën përvëluese prej ditësh, me temperatura që arrijnë në 44 gradë Celsius në disa vende.
"Kjo është e paprecedentë", tha Agner Panie-Runasher, ministrja e Mjedisit dhe Tranzicionit të Francës, ndërsa një rekord prej 84 nga 96 departamentet kontinentale të vendit u vendosën në nivelin e dytë më të lartë të alarmit për nxehtësinë.
Vetëm një pjesë e vogël e vendit në veriperëndim u kursye nga i nxehti, sipas shërbimit meteorologjik Meteo Frans, i cili njoftoi se vala e të nxehtit do të arrijë kulmin të martën dhe të mërkurën.
Vala e parë e madhe e të nxehtit të verës ka bërë që autoritetet në vendet përgjatë bregdetit verior të Mesdheut të lëshojnë paralajmërime për nxehtësinë për qytetarët e tyre.
Ambulancat ishin në gatishmëri pranë destinacioneve turistike, ndërsa ekspertët paralajmëruan se valë të tilla të nxehta, të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike, do të bëhen më të zakonshme.
Zjarrfikësit ishin në gatishmëri të lartë pas shpërthimit të zjarreve në Francë dhe Turqi dje, të nxitura nga nxehtësia dhe erërat e forta.
Javën e kaluar, zjarrfikësve grekë iu desh të luftonin një zjarr pyjor në bregdetin në jug të Athinës.
Shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET raportoi se temperaturat në Ekstremadura dhe Andaluzia arritën dje në 44 gradë Celsius.
Në Itali, 21 qytete në të gjithë vendin ishin në gatishmëri të lartë për shkak të nxehtësisë ekstreme, duke përfshirë Milanon, Napolin, Venecian, Firencën, Romën dhe Katanian.
Departamentet e urgjencës në spitalet në të gjithë Italinë kanë raportuar një rritje prej 10 për qind të rasteve të shkaktuara nga goditja e nxehtësisë, sipas Mario Guarino, nënkryetar i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Urgjencës.
"Kryesisht janë të moshuar, njerëz me kancer ose të pastrehë, të cilët paraqiten me dehidratim, goditje nga nxehtësia dhe lodhje", tha ai.
Disa zona në gjysmën jugore të Portugalisë, përfshirë Lisbonën, ishin nën alarm të kuq deri të hënën në mbrëmje, kumtoi Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA).
Dy të tretat e Portugalisë ishin gjithashtu në gatishmëri të lartë dje për shkak të nxehtësisë ekstreme dhe zjarreve, ashtu si edhe ishulli italian i Siçilisë, ku zjarrfikësit luftuan 15 zjarre të shtunën.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po nxitin valë gjithnjë e më të nxehta dhe intensive, veçanërisht në qytete ku i ashtuquajturi efekti i "ishullit të nxehtësisë urbane" intensifikon temperaturat midis ndërtesave me popullsi të dendur.
"Valët e të nxehtit në rajonin e Mesdheut janë bërë më të shpeshta dhe më intensive vitet e fundit. Në të ardhmen priten rritje të mëtejshme të temperaturave dhe të nxehtësisë ekstreme, kështu që do të duhet të mësohemi me temperatura më të larta madje edhe më të larta se ato që po përjetojmë aktualisht", tha Emanuela Piervitali, një studiuese në Institutin Italian për Mbrojtjen dhe Kërkimin e Mjedisit Jetësor (ISPRA). sa/
foto: EPA